CAS-i ia rikthen Senegalit titullin e kampionit të Afrikës
Senegali është rikthyer si kampion i Kupës së Kombeve të Afrikës, pas një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Senegali e mposhti Marokun me rezultat 1-0 në një finale kaotike të AFCON-it në janar, por rezultati u përmbys dy muaj më vonë, kur një komision i apelit i emëruar nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) ia regjistroi Marokut fitoren zyrtare me rezultat 3-0.
Senegali paraqiti ankesë dhe të martën CAS-i ka publikuar vendimin e trupit gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.
Senegali e mposhti Marokun në Rabat, pasi loja ishte ndërprerë për 15 minuta, kur lojtarët u larguan nga fusha në shenjë proteste për shkak të penalltisë së akorduar në favor të Marokut në minutën e fundit të kohës së rregullt.
Ylli i sulmit të Senegalit, Sadio Mane, ka ndihmuar në bindjen e bashkëlojtarëve që të riktheheshin në fushë, ndërkohë që tensionet në stadium po rriteshin.
Kur gjyqtari Jean-Jacques Ndala e rifilloi ndeshjen, Brahim Diaz i Marokut dështoi ta shndërronte në gol penalltinë, pasi gjuajtja e tij u prit nga portieri. Senegali fitoi falë golit të Pape Gueye në vazhdime.
Rregullat e futbollit përcaktojnë se vendimet e gjyqtarit janë përfundimtare, por gjyqtarët e komisionit të apelit të CAF-it iu referuan rregulloreve të turneut të AFCON-it, sipas të cilave, nëse një ekip “refuzon të luajë ose largohet nga fusha para përfundimit të rregullt të ndeshjes pa autorizimin e gjyqtarit, ai do të konsiderohet humbës dhe do të përjashtohet përfundimisht nga gara aktuale”.
Gjyqtarët e CAS-it kanë dëgjuar dëshmitë gjatë një seance njëditore. Vendimet e CAS-it mund të kundërshtohen në Gjykatën Supreme të Zvicrës, megjithëse vetëm për arsye të kufizuara procedurale.
Më shumë se një milion dollarë (770 mijë funte) gjoba ishin shqiptuar nga organet disiplinore të CAF-it ndaj dy federatave, lojtarëve dhe ish-përzgjedhësit të atëhershëm të Senegalit, Pape Thiaw.



