Shqipëria bashkëpunon me Italinë për modernizimin e QSUT-së
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Shqipërisë, Klodiana Spahiu, ka nënshkruar në Milano një Memorandum Bashkëpunimi me “Policlinico di Milano”, për modernizimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri.
Marrëveshja parashikon transferimin e ekspertizës italiane, trajnimin e personelit mjekësor, zhvillimin e teknologjisë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve spitalore. Në fazën e parë do të zbatohet një program pilot 12-mujor, me fokus në Mjekësinë Nukleare dhe Radiologjinë, përfshirë PET/CT dhe radiologjinë intervenuese.
“Investim te profesionistët tanë, transferimi i ekspertizës, zhvillimi i kapaciteteve teknologjike, kërkimi shkencor dhe adoptimi i standardeve bashkëkohore janë pjesë e një vizioni që synon të transformojë Qendrën Spitalore Universitare në një qendër universitare moderne, me kapacitet më të avancuar dhe shërbime më cilësore për pacientët”, është shprehur ministrja Spahiu, raporton “A2”.
Gjatë vizitës në Milano, Spahiu ka dakorduar gjithashtu me drejtuesit e Institutit Kombëtar të Tumoreve planin për funksionimin e Institutit Kombëtar të Onkologjisë në Shqipëri, nga janari i vitit 2027.
“Ne synojmë një sistem ku pacienti të mos përballet me shërbime të fragmentuara, por të ketë një rrugëtim të koordinuar me cilësi, siguri dhe standarde bashkëkohore. Sepse çdo bashkëpunim ndërkombëtar, çdo investim dhe çdo reformë në shëndetësi duhet të përkthehet në një rezultat konkret: shërbime më të mira dhe më shumë kujdes për qytetarët”, ka theksuar ministrja Spahiu.
Instituti i ri synon të integrojë diagnostikimin, trajtimin, kërkimin shkencor dhe koordinimin e kujdesit për pacientët me sëmundje tumorale në nivel kombëtar. Qëllimi është ofrimi i një shërbimi më të koordinuar, me diagnostikim të avancuar dhe standarde bashkëkohore trajtimi.



