Nga një talent 130 milionësh në futbollist pa klub, rënia e pabesueshme e Jadon Sanchos
Jadon Sancho po e përjeton periudhën më të vështirë të karrierës së tij. Anglezi, i cili në vitin 2020 vlerësohej rreth 130 milionë euro pas paraqitjeve fantastike me Borussia Dortmundin, aktualisht është pa klub, pasi Manchester Unitedi ka vendosur të mos ia vazhdojë kontratën.
Në verën e vitit 2021, Unitedi pagoi rreth 85 milionë euro për ta rikthyer në Angli, por Sancho nuk arriti asnjëherë t’i përmbushte pritshmëritë. Përplasja me Erik ten Hagun dhe huazimet te Dortmundi, Chelsea dhe Aston Villa e larguan gjithnjë e më shumë nga niveli që kishte treguar në Gjermani.
Tani, në moshën 26-vjeçare, anësori anglez po kërkon një mundësi për ta ringjallur karrierën. Getafe kishte shfaqur interesim për shërbimet e tij, ndërsa në garë janë përmendur edhe mundësi nga vende të tjera. Rënia e tij është e pabesueshme: nga një prej talenteve më të vlerësuar në Evropë, Sancho tashmë është futbollist i lirë dhe në kërkim të një klubi ku mund ta rifitojë besimin dhe formën e dikurshme.



