Rajoni avancon drejt anëtarësimit, Kosova mbetet në fund të rrugës drejt BE-së: Çfarë mund të presë nga samiti i nesërm në Bruksel?

24 nëntor 2026 | 22:57

Mali i Zi synon t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë dhjetor.

Shqipëria synon ta bëjë të njëjtën gjë gjatë vitit 2027.

Kosova, ndërkaq, gati katër vjet pas aplikimit për anëtarësim, ende pret që kërkesa e saj të kalojë për shqyrtim në Komisionin Evropian.

Me këtë dallim të madh ndërmjet vendeve të rajonit, të mërkurën, më 25 nëntor, në Bruksel mbahet samiti BE–Ballkani Perëndimor.

Kosova do të dëgjojë sërish se e ardhmja e saj është në Bashkimin Evropian.

Por sa është afruar drejt asaj të ardhmeje?

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.

Por ndërsa premtimi është i përbashkët për gjithë rajonin, pozicioni i Kosovës mbetet dukshëm më i pafavorshëm.

Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk e gëzon statusin e kandidatit për anëtarësim.

Mali i Zi ka hapur 33 kapituj të negociatave, prej të cilëve 25 i ka mbyllur përkohësisht.

Shqipëria ka hapur 33 dhe ka mbyllur katër.

Serbia ka hapur 22 kapituj dhe ka mbyllur dy.

Maqedonia e Veriut i ka nisur formalisht negociatat më 2022.

Edhe Bosnjë-Hercegovina, me gjithë problemet e saj të brendshme politike, gëzon statusin e kandidatit që nga dhjetori i vitit 2022.

Kosova mbetet ajo që Brukseli e quan “kandidate potenciale”.

Pesë shtete anëtare – Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Për avancimin formal nevojitet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare.

Komisioni Evropian, në raportin e 4 nëntorit, përsëriti gatishmërinë për të përgatitur opinionin mbi aplikimin e Kosovës, nëse këtë ia kërkon Këshilli.

Kjo kërkesë vazhdon të mungojë.

Çfarë fiton Kosova nga samiti?

„E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian“,

Samitet e këtij formati zakonisht prodhojnë deklarata politike, zotime për bashkëpunim ekonomik, integrim gradual dhe kërkesa për përshpejtimin e reformave.

Një prej temave kryesore do të jetë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me vlerë prej gjashtë miliardë eurosh.

Për Kosovën ishin paraparë deri në 882,6 milionë euro.

Përfitimi i mjeteve kushtëzohet nga realizimi i reformave dhe angazhimi konstruktiv në dialog.

Kosova mund të përfitojë ekonomikisht dhe të integrohet gradualisht në tregun evropian, edhe pa statusin e kandidatit.

Megjithatë, në njoftimin zyrtar për samitin nuk përmendet ndonjë vendim për avancimin e statusit të Kosovës.

BE-ja kërkon institucione funksionale, gjyqësor të pavarur, luftim të korrupsionit, respektim të të drejtave themelore dhe reforma ekonomike.

“Aty ku ngecin reformat, ngec edhe përparimi”, deklaroi ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Shuebel.

Por Kosova ka edhe një barrë tjetër, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit i vitit 2023 i kanë bërë detyrimet e dialogut pjesë të procesit të integrimit evropian.

Moszbatimi i tyre mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për procesin e anëtarësimit dhe ndihmën financiare të BE-së.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet ndër kërkesat kryesore.

Brukseli po e lidh gjithnjë e më shumë perspektivën evropiane të Kosovës me mënyrën se si ajo i trajton komunitetet joshumicë.

BE-ja ka kritikuar vazhdimisht mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Serbia, mungesën e bashkërendimit dhe pasojat për qytetarët që marrin shërbime prej tyre.

Kërkon gjithashtu konsultim me komunitetin serb për çështjet e arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera.

Ndërkaq, Serbia kritikohet për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe mungesën e llogaridhënies për Banjskën.

Kosova e ka Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që nga viti 2016 dhe liberalizimin e vizave që nga janari i vitit 2024.

Hapi i radhës, shqyrtimi i aplikimit për anëtarësim, ende mbetet pa një afat.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka vlerësuar ecurinë…