Ahmeti për PDK-në: Është e padrejtë ndaj Thaçit e Veselit të pritet që ata ta mundin Kurtin
Analisti Shpend Ahmeti, në një përballje me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, në emisionin “Debat Plus”, ka kritikuar organizimin dhe orientimin politik të kësaj partie.
Ahmeti ka thënë se PDK-ja duhet të mendojë për një gjeneratë të re dhe një lidership me mandat të plotë, në vend që të mbështetet në pritjen për kthimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Haga.
Ai ka vlerësuar se është e padrejtë edhe ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që të krijohet bindja se vetëm kthimi i tyre në politikë mund ta mposhtë kryeministrin Albin Kurti.
“Unë mendoj që është e padrejtë edhe ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit, sepse është krijuar një bindje që, po u kthyen ata, e mundin Albin Kurtin. Është e padrejtë prej tyre prapë me u aktivizu në politikë pas një procesi kaq të rëndë, me ua siguru një fitore, se veç ai mundet me mujt Albin Kurtin”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka pyetur nëse PDK-ja po mendon për një lidership të ri, i cili do ta ketë parasysh procesin në Hagë, por njëkohësisht do të ketë mandat të plotë për ta udhëhequr partinë dhe për ta përgatitur atë për garën politike.
Ahmeti ka përmendur edhe përçarjet dhe grupet me interesa të ndryshme brenda partisë, duke thënë se PDK-ja ka mungesa në organizim dhe në përcaktimin e një plani politik.
“A po mendon PDK-ja për një gjeneratë të re e lidership të ri, i cili procesin në Hagë e ka numër një, por në anën tjetër është një mandat që ia siguron atij kryetari me të vërtetë qeverisjen? Se njerëzit po flasin: jo Ramizi në Drenas, jo Samia në Skenderaj, Urani në Prishtinë e Emani në Kuvend – të gjitha grupe të ndryshme, me interesa të ndryshme me votuesit e vetë. A doni me e zgjedh një kryetar me kompetenca të plota që, pavarësisht lirimit, që unë besoj në lirimin e katërshes në Hagë, do ta vazhdojë mandatin dhe do të punojë që me e bërë PDK-në pretendente? Dhe këtu mendoj që keni mungesa në organizim, pasi jeni çorientuar dhe keni mungesa në plan politik”, u shpreh Ahmeti.



