Leipzig mposht Lensin 3-1, Antonio Nusa shkëlqen me dy gola
RB Leipzig ka shënuar fitore 3-1 ndaj Lensit në “Red Bull Arena”, në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Kjo ishte përballja e parë mes dy skuadrave në histori.
Skuadra gjermane e nisi furishëm ndeshjen dhe kaloi në epërsi të dyfishtë brenda nëntë minutave të para. Fillimisht, David Raum shënoi në minutën e pestë me një goditje dënimi, e cila u devijua nga mbrojtja kundërshtare dhe përfundoi në rrjetë.
Vetëm katër minuta më vonë, Antonio Nusa përfitoi nga një gabim i rëndë i mbrojtjes së Lensit dhe realizoi për 2-0.
Leipzig e kontrolloi pjesën e parë, ndërsa në fillim të së dytës pati mundësi ta thellonte epërsinë. Megjithatë, Lens u rikthye në lojë në minutën e 58-të, kur Matthieu Udol shënoi pas një aksioni të nisur nga Saud Abdulhamid dhe Florian Thauvin.
Skuadra mysafire vazhdoi të kërkonte golin e barazimit, madje Abdallah Sima arriti ta dërgonte topin në rrjetë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Në minutat e fundit, Leipzig arriti ta vuloste fitoren. Antonio Nusa shënoi golin e tij të dytë në ndeshje, pas asistimit të Christopher Nkunkut, duke vendosur rezultatin përfundimtar 3-1.
Me këtë fitore, të dytën në fazën e ligës të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, Leipzig është futur në zonën e kualifikimit, ndërsa Lens mbetet jashtë saj.



