Bien çmimet e karburanteve në Zvicër
Lehtësimi i tensioneve në tregjet ndërkombëtare të naftës bruto po ndikon në rënien e çmimeve të karburanteve.
Çmimet e derivateve të naftës në Zvicër po vazhdojnë të bien. Sipas të dhënave më të fundit të Klubit Turistik Zviceran (TCS), të martën një litër benzinë pa plumb 95 kushtonte mesatarisht 1.83 franga zvicerane në nivel vendi, gjashtë centimë më pak krahasuar me gati një javë më parë.
Edhe benzina pa plumb 98 është liruar për gjashtë centimë, duke zbritur në mesatarisht 1.94 franga për litër. E njëjta rënie është shënuar edhe te nafta (dizeli), çmimi i së cilës ka arritur në 2.23 franga për litër.
Rënia e çmimeve lidhet, ndër të tjera, me zbutjen e tensioneve në tregjet ndërkombëtare të naftës bruto. Të martën, një fuçi nafte Brent tregtohej për pak më shumë se 90 dollarë, ndërsa në fund të tetorit çmimi i saj ishte rreth 115 dollarë.
Në uljen e çmimeve të karburanteve mund të ketë ndikuar edhe rikthimi i nivelit të ujit në lumin Rajna. Pas disa muajsh me nivel të ulët të ujit, reshjet e vazhdueshme kanë bërë që niveli i tij të rritet ndjeshëm./Albinfo.ch



