Rrëzohet një helikopter ushtarak në Turqi, vdesin pesë ushtarë

24 nëntor 2026 | 22:15

Një helikopter i Forcës Ajrore të Turqisë u rrëzua gjatë një fluturimi trajnues në perëndim të Turqisë të martën në mbrëmje, duke i lënë të vdekur pesë anëtarët e ekuipazhit, tha Ministria e Mbrojtjes. Ky është rrëzimi i dytë i një helikopteri në Forcat e Armatosura në po aq javë.

Helikopteri i tipit “AS-532 Cougar” u rrëzua pas ngritjes në qiell nga Eskisehiri, ku ndodhet Komanda e Parë Kryesore e Bazës së Aeroplanëve, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Një helikopter i tipit AS-532, që i përkiste forcës sonë ajrore dhe i cili u nis nga Eskisehiri për qëllime trajnimi, është rrëzuar. Mbetjet e helikopterit janë gjetur dhe operacionet e kërkim shpëtimit janë duke vazhduar” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Më vonë, kjo ministri i konfirmoi të vdekurit, duke thënë: “Pesë prej kolegëve tanë heroikë, që ishin duke shërbyer në helikopterin e forcës ajrore që u rrëzua… janë martirizuar.”

Në pamjet e publikuara nga mediat shiheshin ekipet e emergjencës në vendin e rrëzimit afër fshatit Yorukakcayir, rreth 15 kilometra në perëndim të qendrës së qytetit Eskisehir.

Helikopteri “Cougar” ka dy motorë dhe shërben për shumë qëllime. Ai përdoret gjerësisht nga ushtritë përreth botës.

Më 12 nëntor, një helikopter i tipit “Sikorsky S-70” u rrëzua afër Malatyas në jug të Turqisë, duke lënë të vdekur katër anëtarë të ekuipazhit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri Albin Kurti në organizimin e Ambasadës së Shqipërisë për…