Kurti paralajmëron programin e ri qeverisës: Javën e ardhshme publikohet drafti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se javën e ardhshme do të jetë gati drafti i programit të ri qeverisës, pas zgjedhjes së presidentes së re të Republikës, Justina Shiroka-Pula.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ka thënë se me zgjedhjen e presidentes është siguruar stabiliteti institucional për funksionimin demokratik, zhvillimin ekonomik dhe përparimin shoqëror në katërvjeçarin e ardhshëm.
Ai ka theksuar se në programin e ri qeverisës janë përfshirë dhe shtjelluar zotimet me të cilat, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje fitoi sërish zgjedhjet, duke falënderuar qytetarët dhe aktivistët për mbështetjen.
“Të dashur qytetarë dhe aktivistë. Pas zgjedhjes së Presidentes së re të Republikës, Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, kemi stabilitet të plotë institucional për funksionim demokratik, zhvillim ekonomik dhe përparim shoqëror në katërvjeçarin para nesh. Javën e ardhshme do ta kemi gati draftin e programit tonë të ri qeverisës ku janë bërë bashkë dhe shtjelluar zotimet tona me të cilat fituam përsëri zgjedhjet me votën dhe mbështetjen tuaj. Në themel të fitores sonë është besimi juaj që është përgjegjësi për ne, por edhe sukseset e përbashkëta e të arriturat e shumta në këto vitet e fundit. Kurti 1 në vitin 2020 zgjati vetëm 4 muaj (51 ditë me kompetenca të plota), Kurti 3 sivjet zgjati 7 muaj e dy ditë (77 ditë me kompetenca të plota), ndërkaq Kurti 4 nisi më 13 shtator 2026. Mirëpo, të arriturat kryesore për Kosovën dhe qytetarët e saj natyrisht që ishin në Kurti 2. Dhe, në vijim keni përmbledhjen me të arriturat kryesore të Kurti 2”, ka shkruar Kurti.



