PËRTEJ FAQEVE – LIBRI SI HAPËSIRË E DIALOGUT DHE SHKËMBIMIT AKADEMIK

26 nëntor 2026 | 10:15

Forumi Studentor i Psikologjisë realizoi aktivitetin “Përtej Faqeve”, një nismë e dedikuar promovimit të kulturës së leximit, reflektimit kritik dhe dialogut akademik, duke krijuar një hapësirë të përbashkët takimi dhe bashkëbisedimi ndërmjet studentëve dhe përfaqësuesve të komunitetit akademik.

Aktiviteti u karakterizua nga diskutime të hapura mbi rolin e librit dhe leximit në formimin intelektual, zhvillimin e mendimit kritik dhe zgjerimin e perspektivave individuale e profesionale. Përmes shkëmbimit të ideve dhe përvojave, u trajtua rëndësia e kultivimit të një kulture akademike që shkon përtej përvetësimit të njohurive teorike dhe nxit kureshtjen intelektuale, reflektimin dhe angazhimin aktiv në jetën universitare.

Në këtë aktivitet morën pjesë Prodekanët Fakultetit Filozofik dhe Shefi i Departamentit të Psikologjisë, prania dhe kontributi i të cilëve i dhanë diskutimit një dimension të rëndësishëm institucional dhe akademik. Ky bashkëbisedim përfaqësoi gjithashtu një mundësi për të forcuar komunikimin ndërmjet studentëve dhe stafit akademik, duke theksuar rëndësinë e krijimit të hapësirave ku perspektivat e ndryshme takohen dhe zhvillohen përmes dialogut.

Një pjesë e aktivitetit iu kushtua edhe eksplorimit të bibliotekës së fakultetit, si një ndër hapësirat themelore të jetës akademike, me fokus në mundësitë që ajo ofron për qasje në literaturë, hulumtim dhe zhvillim të vazhdueshëm intelektual.

Përtej dimensionit të tij tematik, “Përtej Faqeve” synoi të promovojë një kulturë të pjesëmarrjes studentore dhe të kontribuojë në ndërtimin e një komuniteti universitar më të ndërlidhur, ku iniciativat studentore, mbështetja institucionale dhe angazhimi akademik plotësojnë njëra-tjetrën.

Forumi Studentor i Psikologjisë shpreh mirënjohjen për Përfaqësuesit e Fakultetit Filozofik, dhe të gjithë pjesëmarrësit për praninë dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij aktiviteti.

Sepse universiteti nuk është vetëm hapësirë e përvetësimit të dijes, por edhe hapësirë e krijimit, ndarjes dhe zhvillimit të saj.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Rreth 30 kompani kosovare pjesë e delegacionit në Izmir, ndërsa…