‘Nuk ka integritet, ka preferenca politike’, Kadrijaj kritikon procesin e përzgjedhjes së bordeve
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për Bordin e RTK-së dhe bordet e tjera publike, duke pretenduar se në këto konkurse ndikojnë preferencat politike.
Gjatë diskutimit në Kuvend, Kadrijaj ka thënë se një nga arsyet pse kandidatët me integritet nuk po aplikojnë, sipas saj, është perceptimi se përzgjedhjet bëhen paraprakisht dhe se pikëzimi gjatë intervistave nuk është i drejtë.
“Këto praktika po përsëriten sa herë ka pasur pikëzim apo intervistim të kandidatëve, qoftë për Bordin e RTK-së apo borde të tjera. Është krijuar perceptimi se nuk kanë pse të vijnë të kandidojnë, sepse nuk do të kalojnë dhe se njerëzit janë përzgjedhur para se të vijnë. Ne gjatë pikëzimit e kemi parë se ata që kanë qenë shumë të dobët në intervista janë pikëzuar me maksimumin e pikëve. Ndërsa ata që kanë qenë të mirë dhe të duhur janë pikëzuar me pikët minimale të votave. Ndoshta kjo është arsyeja pse njerëzit me integritet janë tërhequr dhe nuk kanë kandiduar në këtë konkurs”, është shprehur ajo.
Deputetja e Aleancës ka shtuar se, sipas saj, në këto procese po mbizotërojnë preferencat politike dhe jo integriteti profesional.
“Po shihet që këtu nuk ka integritet, këtu ka preferenca politike. Ai që i përmbush preferencat politike për të qenë në atë bord dhe në atë agjenci kalon, ndërsa të tjerët kot kandidojnë”, ka deklaruar Kadrijaj.



