Kroacia: S’e lëmë Malin e Zi të anëtarësohet në BE derisa të zgjidhet demarkacioni, s’pranojmë rishqyrtim të kufirit tokësor
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka bërë me dije se Zagrebi do ta interpretojë çdo vënie në pikëpyetje të kufirit tokësor si pretendim territorial të Malit të Zi ndaj Kroacisë, duke përmendur shprehimisht Prevlakën. Ai ka theksuar gjithashtu se arbitrazhi nuk është opsion për vendin e tij.
Kroacia nuk do të pranojë rishqyrtimin e kufirit tokësor me Malin e Zi dhe as nuk do t’i lejojë këtij të fundit mbylljen e kapitullit 31 të negociatave – Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe e Mbrojtjes – derisa të zgjidhet çështja e demarkacionit tokësor, ka deklaruar kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.
Ai, para takimit të jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian në Bruksel, ka komentuar paralajmërimin e Malit të Zi se do t’i dërgojë Qeverisë së Kroacisë një propozim për zgjidhjen e çështjes së kufirit tokësor dhe detar, raporton “HRT”.
Plenkoviq ka thënë se Kroacia ka një qëndrim të palëkundur, i cili bazohet në parimet e Komisionit të Badinterit, sipas të cilave kufijtë e dikurshëm republikanë janë njëkohësisht edhe kufijtë e shteteve të krijuara pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.



