Limaj: Ligji për Specialen është hap drejt ndryshimit të padrejtësisë, s’kam ambicie për kryetar të një partie tjetër

26 nëntor 2026 | 15:47

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për vizitën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë, si dhe për iniciativat për miratimin e një ligji që lidhet me Gjykatën Speciale.

I pyetur për vizitën e Krasniqit në Kosovë, Limaj ka thënë se për këtë çështje është deklaruar edhe më herët në intervista.

“E kam thënë, besoj se kam qenë i qartë. E kam thënë disa herë në intervistat e mia”, ka deklaruar Limaj.

Ndërkaq, sa i përket Ligjit për Specialen, Limaj ka thënë se Kosova ka nevojë për më shumë mirënjohje dhe respekt ndaj bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve, por edhe për veprime institucionale që do të kontribuonin në vendosjen e drejtësisë.

Ai ka vlerësuar se çdo veprim ligjor që ndërmerret për këtë çështje mund të ketë efekt, duke theksuar se duhet të shqyrtohet përmbajtja e projektligjit të ri, i cili ende nuk është bërë publik.

Limaj ka kujtuar edhe iniciativën e mëhershme për ligjin, të cilën e ka cilësuar si hap të rëndësishëm për trajtimin e një çështjeje që, sipas tij, nuk është adresuar për shtatë vjet.

“Është një mesazh se Kosova ka nevojë për njerëzi, për respektim, me shpresën dhe besimin se edhe institucionet do ta bëjnë punën e tyre duke proceduar atë ligj dhe duke ndërmarrë çdo gjë që duhet për ta vënë drejtësinë në vend. Besoj se kjo është ajo që u duhet dhe që e presin qytetarët e Republikës së Kosovës.

Është i vonuar, është i vonuar dhe çdo përpjekje që bëhet për atë ligj që ka qenë, e pastaj për këtë që po vjen, unë po flas për ligjin që po vjen, jo për diçka tjetër. Çdo veprim ligjor që ndërmerret, jini të sigurt se do të ketë efekt. Varet se çfarë do të përmbajë ligji. Jam i bindur se do të ketë efekt.

Kosova duhet ta bëjë atë hap dhe iniciativat e veprimeve nuk duhet të paragjykohen. Krejt çka nuk duhet të bëjmë është të mos vazhdojmë me atë që nuk ka pasur efekt, me atë që ka ndodhur për shtatë vjet, gjatë të cilave nuk kemi bërë asgjë. Asgjë. Duke mos bërë asgjë, nuk ka pasur kurrfarë efekti.

Çdo gjë tjetër që bëhet, çdo iniciativë konkrete, siç ka qenë ligji ose siç do të jetë projektligji i ri, të cilin ende nuk e njohim dhe nuk e kemi parë, por që duhet ta shqyrtojmë, është një hap drejt ndryshimit të kësaj padrejtësie.

Unë e kam thënë edhe më herët se ai ligj që ka qenë ishte një ligj, një hap i mirë, serioz dhe i rëndësishëm për ta trajtuar këtë çështje, e cila nuk është trajtuar për shtatë vjet. Ka qenë një hap i rëndësishëm për të vazhduar më tej dhe për ta kufizuar mandatin e asaj gjykate, e cila tërësisht ka dalë jashtë mandatit të vet”, ka thënë Limaj, raporton “Ekonomia Online”.

I pyetur nëse ka ambicie për të qenë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Limaj e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se vëmendja e tij aktualisht është te çështja e Apelit dhe lufta çlirimtare.

“Ndërsa, shikoni, tema kryesore e jona është Apeli, Apeli, Apeli, lufta çlirimtare. Unë nuk kam asnjë ambicie për të qenë kryetar i asnjë partie tjetër. Ajo për të cilën po flas unë është se sot e kemi një temë tjetër”, ka deklaruar Limaj.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka votuar pro shkarkimit të katër anëtarëve…