Njomza Hasani: Pavarësia ekonomike e gruas ndërtohet përmes guximit, punës dhe besimit në vete
Si po e ndërtojnë gratë në Kosovë pavarësinë ekonomike përmes biznesit? Njomza Hasani është një nga shembujt e grave që kanë vendosur ta kthejnë përvojën profesionale në një rrugëtim të pavarur sipërmarrës. Pas 20 vjetësh përvojë në industrinë e udhëtimeve, Njomza Hasani ka vendosur të ndërtojë biznesin e saj, duke themeluar Globegate, agjencinë e udhëtimeve luksoze në Prishtinë, e vendosur në rrugën Tringë Smajli, pranë hotelit Swiss Diamond. Rrugëtimi i saj profesional nisi në aeroport, ku kaloi disa vite, për të vazhduar më pas si agjente udhëtimesh. Kjo përvojë shumëvjeçare i ka dhënë mundësinë ta njohë industrinë nga këndvështrime të ndryshme: nga organizimi i fluturimeve dhe rezervimet, deri te nevojat dhe sfidat me të cilat përballen udhëtarët gjatë gjithë rrugëtimit të tyre. Sot, përmes Globegate, Njomza synon të ofrojë më shumë sesa një rezervim udhëtimi: një shërbim të personalizuar, kujdes të vazhdueshëm dhe siguri për klientët, duke e vendosur përvojën e udhëtarit në qendër të çdo organizimi. Në këtë intervistë për Epoka e Re, ajo flet për rrugëtimin e saj profesional, vendimin për të hapur biznesin, rëndësinë e pavarësisë ekonomike për gratë në Kosovë dhe filozofinë që e udhëheq në zhvillimin e Globegate.

Çfarë ju kanë mësuar 20 vjet përvojë në industrinë e udhëtimeve dhe cilat janë vlerat që i keni bartur në biznesin tuaj, Globegate?
Përvoja në aeroport më ka mësuar se sa shumë vlen një përgjigje e qartë dhe e saktë, sidomos kur udhëtari ka pak kohë për të marrë një vendim. Më vonë, gjatë punës si agjente udhëtimesh, kuptova se sa shumë gjëra mund t’ia lehtësosh klientit që në momentin e rezervimit. Edhe sot, kur zgjedh një fluturim me ndalesë, mundohem ta shoh udhëtimin nga këndvështrimi i personit që do ta përjetojë. A ka kohë të mjaftueshme për ndërrimin e fluturimit? A është lidhja e përshtatshme, sidomos nëse udhëton me fëmijë apo me prindërit? Janë këto detaje që bëjnë dallimin në përvojën e udhëtimit.
Çfarë ju shtyu të krijonit biznesin tuaj dhe të ndërmerrnit këtë hap në karrierë?
Pas shumë vitesh në këtë profesion, dëshiroja të krijoja një hapësirë ku klienti të mund të ulej përballë meje dhe të më tregonte se si e imagjinonte udhëtimin e tij. Doja ta ndërtoja vetë një shërbim të tillë, ku çdo rekomandim të mbështetej në përvojë, njohuri dhe kujdes të sinqertë ndaj klientit. Kur i thua dikujt se një destinacion, hotel apo fluturim është zgjedhur posaçërisht për të, duhet ta dish mirë pse po ia rekomandon. Për mua, kjo është përgjegjësia që vjen me këtë profesion.
Sa e rëndësishme është pavarësia ekonomike për ju si grua dhe sipërmarrëse?
Për mua, pavarësia ekonomike do të thotë të ardhurat t’i krijoj përmes punës sime dhe të kem lirinë të vendos vetë se si t’i menaxhoj dhe ku t’i investoj ato. Sot, më takon mua të vendos se sa mund të investoj në agjenci, cilat shpenzime mund të presin dhe cilat vendime duhet të merren menjëherë. Është një përgjegjësi e madhe, por njëkohësisht edhe një ndjenjë e veçantë kënaqësie. Pikërisht në këto vendime të përditshme e ndiej pavarësinë ekonomike.
Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në Kosovë për t’i mbështetur më shumë gratë që duan të hapin bizneset e tyre?
Mendoj se duhet të flasim më hapur edhe për aspektin financiar të sipërmarrjes. Për shembull, sa kushton hapja e një biznesi? Si duhet të përcaktohet çmimi i shërbimit? Si mund të menaxhohen muajt e parë, kur biznesi ende është duke u konsoliduar? Një gruaje që po mendon të nisë diçka të sajën mund t’i vlejë jashtëzakonisht shumë një bisedë e sinqertë me dikë që i ka kaluar tashmë këto përvoja. Shkëmbimi i përvojave dhe informacioneve praktike mund t’ua lehtësojë shumë grave vendimin për të ndërmarrë hapin e parë.
Pse vendosët që Globegate të ketë pikërisht këtë lokacion në Prishtinë?
Më pëlqeu fakti që është një adresë e lehtë për t’u gjetur dhe për t’ua shpjeguar klientëve. Jemi në rrugën Tringë Smajli, pranë hotelit Swiss Diamond. Për mua, është e rëndësishme që klientët të kenë mundësi të vijnë, të ulen dhe të bisedojnë nga afër për planet e tyre. Sidomos kur bëhet fjalë për udhëtime të veçanta, si përvjetorë, pushime familjare apo udhëtime me disa breza të së njëjtës familje, shumë detaje diskutohen më lehtë përmes një bisede të drejtpërdrejtë.
Çfarë e veçon Globegate nga agjencitë e tjera të udhëtimit?
Një nga veçoritë e shërbimit tonë është mbështetja që u ofrojmë klientëve gjatë gjithë udhëtimit, 24 orë në ditë. Ata mund të na kontaktojnë në çdo kohë në numrin +383 48 82 82 87. Për shembull, nëse një udhëtari i anulohet fluturimi në orët e hershme të mëngjesit apo nuk arrin ta gjejë shoferin pas mbërritjes në destinacion, ai mund të na telefonojë menjëherë. Ne shqyrtojmë situatën së bashku dhe e ndihmojmë të gjejë zgjidhjen e duhur. Është e rëndësishme që klienti, edhe kur ndodhet larg shtëpisë, ta dijë se ka dikë ku mund të drejtohet. Një aspekt tjetër që e konsiderojmë shumë të rëndësishëm është privatësia. Kur organizojmë transportin dhe pritjen në aeroport, gjithmonë e pyesim klientin se si dëshiron të realizohet takimi me shoferin. Nëse preferon që emri i tij të mos shfaqet në tabelën e pritjes, organizojmë paraprakisht një pikë takimi. Besoj se kujdesi ndaj klientit përfshin edhe respektimin e diskrecionit dhe privatësisë së tij.

Kur një klient ju kërkon të organizoni një udhëtim luksoz, cila është gjëja e parë që dëshironi të dini?
Pyetja ime e parë zakonisht është: “Si do të dëshironit ta kalonit një ditë atje?” Për shembull, nëse flasim për liqenin e Komos, një klient mund të dëshirojë një suitë me tarracë, ku mund ta shijojë paraditen në qetësi dhe privatësi. Një tjetër mund të preferojë një hotel nga i cili mund të dalë në këmbë dhe të arrijë lehtësisht te varkat apo restorantet e preferuara. Pra, edhe kur destinacioni është i njëjtë, preferencat dhe pritshmëritë e klientëve mund të jenë krejtësisht të ndryshme. Prandaj, për mua, një udhëtim luksoz nuk përcaktohet vetëm nga hoteli apo çmimi, por nga mënyra se si përputhet me dëshirat dhe stilin e jetesës së klientit.
Po kur bëhet fjalë për udhëtime biznesi, cilat janë prioritetet tuaja në organizim?
Në këto raste, fillimisht shikoj orarin dhe adresën e takimit. Nëse klienti ka një takim në orën nëntë të mëngjesit, analizoj nëse është më e përshtatshme të mbërrijë një natë më herët dhe sa kohë i nevojitet për të arritur nga hoteli në vendin e takimit. Ndonjëherë, gjysmë ore më shumë kohë në mëngjes, pa stres dhe pa nxitim, ka shumë më tepër vlerë për klientin sesa një suitë më e madhe. Qëllimi është që udhëtimi të jetë sa më funksional dhe t’ia lehtësojë angazhimet profesionale.
Çfarë mesazhi do t’i përcillnit një gruaje që ka një ide biznesi, por ende heziton të ndërmarrë hapin e parë?
Do ta këshilloja të mendojë se çfarë di të bëjë aq mirë, sa dikush do të kishte arsye t’i besonte pikërisht asaj. Pastaj, do ta inkurajoja të bisedonte me një klient të mundshëm dhe ta dëgjonte me kujdes se çfarë kërkon dhe çfarë i nevojitet. Shpesh, pikërisht nga këto biseda mund të kuptosh se çfarë ia vlen të provosh fillimisht dhe cilat gjëra mund të presin. Nuk është e nevojshme që gjithçka të jetë perfekte që në fillim. E rëndësishme është ta njohësh mirë atë që ofron dhe të kesh gatishmëri për të mësuar e për t’u zhvilluar vazhdimisht.
Kur do ta konsideronit se Globegate e ka arritur suksesin që dëshironi?
Do të më gëzonte shumë nëse pas një viti do të më telefononte një klient dhe do të më thoshte: “Njomza, këtë herë po udhëtoj me prindërit. Ti tashmë e di se çfarë na pëlqen.” Për mua, një telefonatë e tillë do të kishte shumë vlerë. Do të ishte dëshmi se e kam dëgjuar dhe kuptuar mirë klientin që në fillim, se kam krijuar besim dhe se ai dëshiron të kthehet përsëri tek ne. Në fund të fundit, suksesi nuk matet vetëm me numrin e rezervimeve, por edhe me besimin që ndërton me njerëzit dhe me marrëdhëniet që arrin t’i ruash ndër vite.




