GAP-i: Përmirësohet transparenca buxhetore në Kosovë, por ende mungojnë dokumente dhe mekanizma të konsultimit publik
Instituti GAP ka publikuar rezultatet e Anketës së Buxhetit të Hapur për vitin 2025, sipas së cilës Kosova ka shënuar përmirësim në të tri dimensionet e vlerësimit: transparencën buxhetore, pjesëmarrjen publike dhe mbikëqyrjen buxhetore, raporton “Ekonomia Online”.
Sipas rezultateve të prezantuara nga ky institut, Kosova ka marrë 57 pikë nga 100 për transparencën buxhetore, 32 pikë për pjesëmarrjen publike dhe 61 pikë për mbikëqyrjen buxhetore.
Nora Latifi-Jashari nga Instituti GAP ka thënë se anketa bazohet në një pyetësor gjithëpërfshirës me më shumë se 200 pyetje dhe se vlerësimi mbështetet në dëshmi konkrete, përfshirë dokumentet buxhetore dhe legjislacionin përkatës.
Ajo ka theksuar se përgjigjet i nënshtrohen edhe shqyrtimit nga Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit dhe një rishikues i pavarur, duke siguruar kështu një proces të standardizuar dhe të bazuar në fakte.
“Anketa e Buxhetit të Hapur bazohet në një pyetësor gjithëpërfshirës prej më shumë se 200 pyetjesh dhe vlerësimi mbështetet në dëshmi konkrete, si dokumentet buxhetore dhe legjislacioni përkatës. Përgjigjet gjithashtu i nënshtrohen një vlerësimi ose rishikimi edhe nga Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit, si dhe nga një rishikues i pavarur, duke siguruar kështu një proces të standardizuar dhe të bazuar në fakte.
Për Kosovën, ky proces ka një rëndësi të veçantë, sidomos edhe për ne si GAP, pasi në vitin 2024 Instituti GAP e solli për herë të parë këtë vlerësim në vend, përmes një raporti pilot të publikuar në atë kohë. Rezultatet e atij vlerësimi të parë ishin një pikënisje e rëndësishme për të kuptuar gjendjen e transparencës dhe llogaridhënies në financat publike të Kosovës”, ka thënë ajo.
“Në atë kohë, vendi kishte marrë 50 pikë nga 100 për transparencën buxhetore, vetëm 9 pikë për pjesëmarrjen publike dhe 59 pikë për mbikëqyrjen buxhetore. Sot, me publikimin e vlerësimit të ri për vitin 2025, kemi mundësi të shohim se çfarë ka ndryshuar dhe, gjithashtu, nëse ka pasur ndryshime edhe në metodologji. Rezultatet tregojnë për një përmirësim në këto tri dimensione: transparenca është rritur në 57 pikë, pjesëmarrja e publikut në 32 pikë, ndërsa mbikëqyrja buxhetore në 61 pikë. Këto janë zhvillime pozitive, por ende kemi dokumente buxhetore që mungojnë ose nuk publikohen me kohë. Po ashtu, mungojnë mekanizmat e mirëfilltë për konsultimin e qytetarëve, sidomos në nivelin qendror, si dhe nevojitet forcimi i mbikëqyrjes institucionale të zbatimit të buxhetit”, ka thënë ajo.
Ndërsa Rrona Zhuri nga Instituti GAP, gjatë prezantimit të raportit, ka shpjeguar se Anketa e Buxhetit të Hapur është një vlerësim i pavarur global, i cili mat transparencën, gjithëpërfshirjen dhe mbikëqyrjen e proceseve buxhetore.
Ajo ka bërë me dije se në vitin 2025 anketa është realizuar në 82 vende të botës, duke shqyrtuar dokumentet dhe praktikat buxhetore të publikuara gjatë vitit 2024.
Sipas Zhurit, pyetësori përmban gjithsej 218 pyetje, prej të cilave 145 vlerësohen me pikë, ndërsa 73 të tjera shërbejnë për informata plotësuese.
Ajo ka shtuar se vlerësimi ndahet në tri komponentë kryesorë: transparencën buxhetore, pjesëmarrjen publike dhe mbikëqyrjen buxhetore.
“Anketa e Buxhetit të Hapur, siç e përmendi edhe Nora, është një vlerësim i pavarur global; pra, vlerëson se sa transparente, sa gjithëpërfshirëse dhe sa të mbikëqyrura janë proceset buxhetore. Në vitin 2025, OBS është realizuar në 82 vende të botës dhe ka shqyrtuar dokumentet dhe praktikat buxhetore të publikuara gjatë vitit 2024. Për Kosovën, është hera e parë që po bëhet si vlerësim i plotë, meqenëse në vitin 2023 e kemi realizuar si një vlerësim të plotë. Qëllimi i këtij raporti është të vlerësojë nëse institucionet publikojnë dokumente buxhetore, por edhe sa gjithëpërfshirëse janë ato dokumente dhe sa mundësi kanë qytetarët të ndikojnë në proceset buxhetore përmes përfshirjes së tyre. Po flas pak rreth metodologjisë së anketës. Pyetësori bazohet në gjithsej 218 pyetje, nga të cilat 145 vlerësohen me pikë, ndërsa 73 të tjera shërbejnë për informata plotësuese. Vlerësimi ndahet në tri komponentë: transparencë buxhetore, pjesëmarrje publike dhe mbikëqyrje buxhetore. Janë gjithsej 109 pyetje për transparencën, 18 pyetje për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe 18 për mbikëqyrjen nga Kuvendi dhe Zyra Kombëtare e Auditimit. Te transparenca buxhetore janë shqyrtuar gjithsej tetë dokumente buxhetore. Bëhet fjalë për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2025-2027, projektligjin për ndarjet buxhetore 2025, Ligjin për ndarjet buxhetore 2025, broshurën informative për qytetarët për vitin 2024, raportet financiare tremujore, gjashtëmujore dhe nëntëmujore gjatë vitit 2024, rishikimin e mesvitit, raportin financiar vjetor të buxhetit të Kosovës për vitin 2023 dhe raportin e auditimit për vitin 2023. Te pjesëmarrja publike janë analizuar gjithsej katër faza të përfshirjes së qytetarëve në procesin buxhetor”.
“Është faza e formulimit, miratimit të buxhetit, ekzekutimit dhe auditimit. Ndërsa te mbikëqyrja është vlerësuar roli i Kuvendit dhe i Zyrës Kombëtare të Auditimit përmes përfshirjes së tyre në proceset buxhetore. Ky vlerësim bazohet kryesisht në dokumente publike, legjislacion dhe burime të tjera dëshmuese. Përgjigjet janë shqyrtuar nga stafi i Partneritetit Ndërkombëtar të Buxhetit, si dhe nga një rishikues i pavarur. Kryesisht në vende të tjera, këto përgjigje i janë dërguar edhe Ministrisë së Financave për një rishikim të tretë, mirëpo në rastin tonë këtë vit kjo nuk ka qenë e mundur për shkak se kemi pasur një bllokadë institucionale”, ka thënë ajo.
Duke paraqitur rezultatet e transparencës buxhetore, ajo ka bërë të ditur se nga tetë dokumentet e shqyrtuara, gjashtë janë publikuar me kohë, një është publikuar me vonesë, ndërsa një tjetër nuk është publikuar fare.
“Kemi përmirësime, megjithatë kjo nuk vjen tërësisht si rezultat i avancimit të praktikave institucionale. Kjo më shumë ka të bëjë me disa ndryshime metodologjike që janë bërë në anketë. Pra, në transparencë, metodologjia në vitin 2025 ka përfshirë edhe dokumente shtesë dhe ka ndryshuar kriteret e vlerësimit në disa pyetje. Te pjesëmarrja, për dallim nga viti 2023, kemi përfshirë edhe nivelin lokal. Pra, janë përfshirë dëgjimet buxhetore komunale, të cilat në vitin 2023 nuk kanë qenë të përfshira. Prandaj, kjo ka ndikuar në përmirësimin e vlerësimit në vitin 2025. Te mbikëqyrja ka pasur përmirësim të lehtë, i cili kryesisht është ndikuar nga miratimi më i hershëm i buxhetit dhe përfshirja më e madhe e komisioneve parlamentare në shqyrtimin e projektbuxhetit. Po kaloj tani te rezultatet sipas komponentëve. Siç e përmenda, në transparencën buxhetore kemi marrë gjithsej 57 pikë. Nga tetë dokumentet që janë vlerësuar, vetëm gjashtë kanë qenë të publikuara me kohë, ndërsa një dokument është publikuar me vonesë. Ky dokument është broshura informative për qytetarët, e cila është publikuar diku në qershor, ndërsa sipas praktikave të mira duhet të publikohet brenda tre muajve të parë të vitit.
“Rishikimi i mesvitit është një dokument që kërkohet sipas metodologjisë së OBS-së, mirëpo nuk është publikuar fare nga Ministria e Financave. Sa i përket përmbajtjes së dokumenteve, rezultatet kanë dallime të dukshme. Dokumentet me rezultatet më të mira kanë qenë raporti i auditimit me 95 pikë, Korniza Afatmesme e Shpenzimeve me 89 pikë dhe buxheti i miratuar ose Ligji i Buxhetit, po ashtu me 89 pikë. Ndërsa dokumentet me vlerësim mesatar kanë qenë projektbuxheti, me 56 pikë, dhe raporti vjetor financiar, me 59 pikë. Duhet të përmendet se dokumenti që ka më së shumti pyetje në këtë anketë është projektbuxheti. Prandaj, ndoshta edhe kriteret e vlerësimit për këtë dokument janë më strikte”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, drejtori i Buxhetit në Ministrinë e Financave, Salvador Elmazi, e ka vlerësuar pozitivisht përmirësimin e rezultateve, duke theksuar se më i rëndësishëm është trendi i përgjithshëm i avancimit, pavarësisht ndryshimeve në metodologjinë e vlerësimit.
Ai ka propozuar që Ministria e Financave dhe Instituti GAP të hartojnë së bashku një plan veprimi me hapa konkretë, përfshirë masa të vogla teknike, të cilat, sipas tij, mund të ndikojnë në përmirësimin e matjeve dhe rezultateve në vlerësimet e ardhshme.
“Megjithatë, është një përmirësim, sepse edhe kur ndryshon diçka në matje, ajo vlerësohet. Kjo tregon se ka një trend. Me rëndësi është që trendi është pozitiv dhe ka përmirësim. Nga ajo që dëgjuam, ka shumë detaje të cilat sigurisht nuk mund t’i diskutojmë të gjitha këtu. Unë më shumë po e vërej nevojën që ndoshta ta bëjmë së bashku me GAP-in, meqenëse është drejtpërdrejt i përfshirë në këtë anketë, njëfarë plani veprimi me hapa konkretë. Ndoshta shumë të vegjël dhe teknikë, por që ndikojnë në matje dhe rezultate. Këto mund t’i diskutojmë më pas në proceset më të thjeshta. Ajo që më bëri përshtypje në këtë metodologji ishte çështja e rishikimit të buxhetit. Është shumë me rëndësi të sqarohet, si për pjesëmarrësit, ashtu edhe për opinionin publik, se rishikimi i buxhetit nuk është obligim ligjor. Janë të përcaktuara rrethanat në të cilat bëhet rishikimi buxhetor. Formalisht, për shembull, sivjet ka pasur rishikim buxhetor”.
“Vjet ka pasur rishikim buxhetor, jo në atë masë të ndryshimeve dhe ndarjeve buxhetore, por rishikim buxhetor ka pasur. Pra, duhet t’u sqarohet edhe vendimmarrësve të këtij raporti se diçka që nuk është obligim ligjor, siç është rishikimi, nuk është proces i detyrueshëm ligjërisht. Duhet të shihet mundësia që kjo çështje të adresohet në një formë tjetër. Sa i përket broshurës, hartimi i saj është proces tërësisht teknik. Gjithçka që varet nga Departamenti i Buxhetit është hartuar me kohë, por ndoshta në hallkat e procesit deri te marrja e vendimit për publikim ka mundësi për përmirësim. Do ta shqyrtojmë së bashku se si mund ta përmirësojmë këtë proces. Besoj se është diçka që mund të adresohet shumë lehtë. Një gjë tjetër që e kam vërejtur edhe gjatë takimeve të Komisionit për Buxhet të Kuvendit të Kosovës, ku ftohet edhe Ministria e Financave dhe shqyrtohet projektligji për ndarjet buxhetore, është shumë e rëndësishme që edhe komisionet parlamentare të fillojnë të zbatojnë një praktikë tjetër të parashtrimit të pyetjeve edhe ndaj ministrave të linjës, lidhur me buxhetin”, ka thënë ai. /EO



