Shiroka Pula: Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor s’mund të jetë selektiv, Kosova kërkon barazi dhe trajtim të drejtë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, e cila po e përfaqëson Kosovën në Iniciativën Brdo-Brijuni, që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në fjalën e saj para liderëve të rajonit ka theksuar se bashkëpunimi rajonal, fqinjësia e mirë dhe integrimi evropian janë thelbësore për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Sipas presidentes, integrimi evropian nuk mund të jetë selektiv dhe të gjitha vendet duhet të përparojnë drejt anëtarësimit mbi bazën e meritave dhe kritereve të barabarta.
Duke iu referuar Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të mbajtur më 16 nëntor në Bruksel, presidentja ka kritikuar mospërfshirjen e Kosovës në këtë aktivitet, si dhe lejimin e interpretimit të një kënge nacionaliste që vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ajo ka theksuar se është paradoksale që në një aktivitet kushtuar zgjerimit dhe vlerave evropiane Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional, ndërsa lejohen mesazhe që mohojnë realitetin. Sipas presidentes, praktika të tilla nuk i shërbejnë pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal.
Presidentja Shiroka Pula ka ritheksuar se Kosova nuk kërkon privilegj, por barazi, respekt dhe trajtim të drejtë. Ajo ka theksuar se integrimi evropian është zgjedhje strategjike e Kosovës dhe se mungesa e përparimit drejt statusit të vendit kandidat dëmton besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane të rajonit.
Në fjalën e saj, presidentja ka vënë në pah edhe rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në përmbyllje, presidentja ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë se parimet e barazisë, solidaritetit dhe respektimit të vlerave evropiane vlejnë njësoj për të gjitha vendet. Ajo ka nënvizuar se Kosovës i takon vendi i merituar në familjen evropiane.



