Kilaj u ankua për cilësinë e shujtave, Haga del me sqarim për kushtet në qendrën e paraburgimit
Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë kanë lëshuar një reagim lidhur me kushtet në objektin e paraburgimit, pas deklaratave të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, për cilësinë e dobët të ushqimit që shërbehet atje.
Gjykata Speciale, në reagimin e saj, ka thënë se “të gjitha kushtet përmbushin ose tejkalojnë standardet evropiane dhe ndërkombëtare, ndër të cilat Rregullat Standarde Bazë të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve dhe Rregullorja Evropiane e Burgimit”.
Siç ka bërë të ditur DHSK-ja, të paraburgosurve u shërbehen tri shujta në ditë, “me ushqim të shumëllojshëm e të përgatitur mirë në cilësi e sasi të kënaqshme”.
“Sa i përket ushqimit, të paraburgosurve u shërbehen tri shujta në ditë. Ushqimi është i shumëllojshëm, i përgatitur mirë dhe me cilësi dhe sasi të kënaqshme në përputhje me standardet e ushqyeshmërisë. Krahas kësaj, të paraburgosurit që dëshirojnë ta përgatisin vetë ushqimin e tyre mund të përdorin pajisjet dhe mjediset e disponueshme për gatim, si dhe mund të blejnë, me shpenzimet e tyre, artikuj ushqimorë nga një furnizues i jashtëm”, thuhet në reagimin e Gjykatës Speciale.
Në një intervistë dhënë për “RTV21”, Isni Kilaj, i cili kishte qëndruar në paraburgim në Hagë si i akuzuar për ndërhyrje në drejtësi, kishte thënë se në Hagë shërbehen “ushqime të ngrira, që kanë qëndruar me muaj ose me vite”.
“I ngrohin në mikrovalë dhe na i sjellin, por edhe për shkak të mëlmesave që përdorin, si dhe faktit që ushqimi ka qëndruar shumë gjatë, ai është i pangrënshëm”, kishte thënë Kilaj.



