Kuvendi i Shqipërisë miraton buxhetin prej 10 miliardë eurosh për vitin 2027
Pas disa orësh debatesh të ashpra, përplasjesh politike dhe replikash mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi ka miratuar me 80 vota për dhe 20 kundër buxhetin e shtetit për vitin 2027, i cili këtë vit ka kaluar pragun historik të 10 miliardë eurove. Po ashtu, është miratuar edhe Paketa Fiskale, me pesë projektligjet që e përbëjnë, të cilat parashikojnë ndryshime dhe shtesa në legjislacionin tatimor të vendit. Të gjitha amendamentet e opozitës janë rrëzuar.
Seanca plenare është shoqëruar me një klimë të tensionuar politike, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë jo vetëm projektbuxheti dhe ndryshimet fiskale, por edhe aktet normative të qeverisë për tubimet, të cilat kanë shkaktuar debate të forta mes palëve politike.
Deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar ashpër paketën antidhunë, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të kufizuar të drejtën kushtetuese për protestë. Në të njëjtën kohë, mazhoranca e ka mbrojtur nismën e qeverisë, duke argumentuar se masat synojnë parandalimin e akteve të dhunës dhe mbrojtjen e institucioneve, pronës publike dhe private.
Një prej momenteve më të rëndësishme të seancës ka qenë edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dispozitës që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave. Ky vendim është bërë shkak për replika të forta mes deputetëve të opozitës dhe kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, lidhur me kompetencat e Kuvendit për vijimin e shqyrtimit të akteve normative.
Gjatë diskutimeve nuk kanë munguar as përplasjet personale. Sali Berisha është përfshirë në replika me ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhja, ndërsa debat ka pasur edhe me deputetin socialist Erion Braçe. Nga ana tjetër, Ulsi Manja ka shkëmbyer akuza me kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe deputetin Erald Kapri.
Pavarësisht tensioneve dhe kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca ka vijuar procedurën parlamentare deri në votimin e projektbuxhetit dhe Paketës Fiskale për vitin 2027. Në momentin e votimit të buxhetit, kryeministri Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm në sallën e Kuvendit.
Miratimi i tyre me shumicë votash shënon përmbylljen e një prej proceseve më të rëndësishme parlamentare të këtij viti, ndërsa debati politik pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, veçanërisht në prag të protestës së paralajmëruar më 28 nëntor.



