Pjesëtarët e FSK-së promovojnë kulturën, gastronominë dhe turizmin e Kosovës në Akademinë Sandhurst, mes 23 vendeve pjesëmarrëse
Më 26 nëntor 2026, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës përfaqësuan Republikën e Kosovës në aktivitetin “International Cultural Evening”, të organizuar në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst, në Mbretërinë e Bashkuar, ku morën pjesë përfaqësues nga 23 vende të ndryshme të botës.
Përmes gastronomisë tradicionale, veshjeve kombëtare, promovimit të potencialit turistik dhe prezantimit të historisë e kulturës sonë, pjesëtarët e FSK-së prezantuan vlerat, traditat dhe identitetin e Republikës së Kosovës para përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar mbështeti këtë aktivitet, duke kontribuar në promovimin e imazhit të Kosovës dhe forcimin e lidhjeve kulturore e miqësore me vendet pjesëmarrëse.
Pjesëmarrja në aktivitete të tilla në një institucion prestigjioz si Akademia Sandhurst dëshmon jo vetëm profesionalizmin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së, por edhe rolin e tyre si ambasadorë të kulturës, traditës dhe vlerave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.



