63 luftëtarë të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” nderohen me “Medaljen e Lirisë”
Në prag të 28 të festave kombëtare të nëntorit, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, u ka ndarë “Medaljen e Lirisë” 63 luftëtarëve të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe sakrificën e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës.
“Në nëntorin e lavdisë, krenarisë dhe kujtesës sonë kombëtare, nga Skënderbeu e Ismail Qemali, tek Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, historia jonë vazhdon e dëshmon se liria u fitua me qëndresë, gjak dhe sakrificë brezash. Me nder e krenari e bartshi Medaljen e Lirisë! Emrat, vepra dhe sakrifica juaj qofshin përherë të skalitura në kujtesën tonë dhe të nderuara brez pas brezi në historinë e kombit shqiptar. Lavdi të rënëve për liri! Nderim për të gjithë ata që i shërbyen atdheut!”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.



