TRI DEKADA NË SHËRBIM TË KUJTESËS, DINJITETIT DHE IDEALIT TË LIRISË
Fjalimi i kryetarit të Shoqatës, Shefik Sadiku, me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës
Të nderuar ish-të burgosur politikë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe të jetës publike,
Të nderuar të pranishëm,
Urime Festat e Nëntorit të Kuq!
Sot, në tridhjetëvjetorin e themelimit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, nuk jemi mbledhur vetëm për të shënuar një përvjetor organizativ. Jemi këtu për të nderuar një pjesë të rëndësishme të historisë sonë politike, të qëndresës kombëtare dhe të çmimit që populli ynë pagoi për lirinë.
Tridhjetë vjet janë një periudhë e mjaftueshme për të matur rrugëtimin e një organizate, por edhe për të reflektuar mbi kuptimin historik të misionit të saj.
Më 27 nëntor 1996, në Prishtinë, në rrethana të rënda të okupimit dhe të shtypjes politike, u themelua Fondi Humanitar për të Burgosurit Politikë. Ishte një nismë që buronte nga përvoja e drejtpërdrejtë e vuajtjes, por që tejkalonte interesin individual të atyre që kishin kaluar nëpër burgjet jugosllave.
Themeluesit e saj e kuptuan se përvoja e burgut politik nuk ishte vetëm një histori personale. Ajo ishte pjesë e historisë së një populli, e përballjes së tij me mohimin e të drejtave politike, me dhunën shtetërore (nga pushtuesit jugosllavo-serbë) dhe me përpjekjet për ta nënshtruar vullnetin e tij për liri.
Për ta kuptuar rëndësinë e kësaj Shoqate, duhet ta kuptojmë fillimisht domethënien e burgosjes politike në historinë e Kosovës, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore!
Burgjet nuk ishin vetëm institucione ndëshkimi. Ato ishin pjesë e një mekanizmi politik që synonte të pengonte organizimin, të shuante kundërshtimin dhe të frikësonte një popull që kërkonte të drejtat e veta. Megjithatë, për rininë shqiptare, ato ishin edhe shkollë e edukimit, e arsimimit dhe e kulturës.
Politika e shtetit të Jugosllavisë, me gjithë mekanizmat e vet politikë dhe ekzekutivë, zbatohej përmes urdhrave që synonin shtypjen sistematike të popullit shqiptar. Shqiptarët viheshin nën vëzhgim dhe përballeshin me forma të ndryshme të presionit politik, psikologjik e fizik. Më në fund, merreshin masa ndëshkuese përmes mekanizmave të dhunës, siç ishin: gjykatat, prokuroria, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (i njohur në popull si UDB-ja), milicia, gardianët, ushtria etj.
Përmes këtyre mekanizmave, të rinjtë shqiptarë ndiqeshin, burgoseshin dhe, në fund, dënoheshin me dënime të rënda, përfshirë edhe dënimin me vdekje (pas Luftës së Dytë Botërore). Pas vitit 1974, dënoheshin me dënimin maksimal deri në 15 vjet burg efektiv, e më pas shpërndaheshin nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, në të gjitha republikat dhe krahinat e saj!
Nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë kaluan breza të tërë shqiptarësh. Ata përfaqësonin periudha të ndryshme të organizimit politik dhe të rezistencës kombëtare, por i bashkonte një element thelbësor: bindja se liria, barazia dhe e drejta e popullit për të vendosur për fatin e vet nuk mund të braktiseshin.
Prandaj, historia e të burgosurve politikë nuk mund të reduktohet në historinë e vuajtjeve individuale. Ajo duhet kuptuar si histori e një qëndrese kolektive, në të cilën individi, duke mbrojtur bindjen e vet, bëhej pjesë e një aspirate më të gjerë historike.
Burgosja mund ta kufizonte lirinë fizike të njeriut, por nuk e përcaktonte domosdoshmërisht kufirin e mendimit dhe të idealit për liri.
Kjo është një nga dëshmitë më domethënëse të historisë sonë.
Themelimi i Shoqatës – vazhdim i një përgjegjësie historike
Themelimi i Shoqatës, e cila fillimisht quhej Fondi Humanitar për të Burgosurit Politikë, dhe marrja e emrit “Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës” më 4 maj 1997, në Kuvendin e parë, ishte një akt me rëndësi të veçantë politike dhe shoqërore.
Ish-të burgosurit politikë, pasi kishin kaluar përvoja të rënda të përndjekjes dhe burgosjes, nuk zgjodhën heshtjen. Ata zgjodhën organizimin, dëshminë dhe veprimin publik.
Brenda një kohe të shkurtër u krijuan degët e saj në të gjitha komunat e Kosovës. Ky zgjerim dëshmonte se Shoqata po bëhej një adresë e përbashkët e një historie që nuk u përkiste vetëm individëve, por një pjese të rëndësishme të shoqërisë sonë.
Në vitet e fundit të okupimit, Shoqata u angazhua në dokumentimin e represionit, në sensibilizimin e opinionit publik dhe në kërkesat për lirimin e të burgosurve shqiptarë nga burgjet jugosllave. Përmes protestave, dëshmive dhe veprimtarisë publike, ajo kontribuoi që çështja e të burgosurve politikë të mos mbetej e mbyllur brenda mureve të burgjeve.
Në këtë rrugëtim, Shoqata u bë pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për lirinë e Kosovës, duke mbështetur edhe luftën çlirimtare.
Shumica e ish-të burgosurve ishin aktivë nëpër subjekte politike. Megjithatë, ata nuk ishin të kënaqur me politikat që zhvilloheshin dhe kërkonin që politika jonë të ishte më aktive në shërbim të çlirimit të popullit dhe të Kosovës me viset shqiptare! Kështu, me daljen në skenën publike të UÇK-së, ata iu bashkëngjitën asaj.
Nga përvoja e burgut te kujtesa historike
Një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të Shoqatës ka qenë dhe mbetet dokumentimi i historisë.
Vuajtja e përjetuar, nëse nuk dëshmohet dhe nuk dokumentohet, rrezikon të mbetet vetëm kujtim individual. Por, kur ajo shndërrohet në dëshmi, dokument, botim dhe hulumtim shkencor, bëhet pjesë e kujtesës historike të popullit tonë.
Po kështu, botimet e shumë librave nga Shoqata, përfshirë edhe “Leksikonin e të Burgosurve Politikë Shqiptarë në Jugosllavi, 1944–1953”, Vëllimin e I-rë, si dhe botimin “Shtigje të Lirisë”, dëshmojnë për përpjekjen që historia e të burgosurve politikë të mos mbetet e fragmentuar dhe e pambështetur në dokumente.
Veçanërisht i rëndësishëm është dokumentimi i emrave, i veprimtarisë dhe i përvojave të njerëzve që kaluan nëpër burgjet politike. Secili emër përfaqëson një histori njerëzore, një familje, një periudhë të jetës dhe një pjesë të historisë sonë kombëtare.
Në këtë kuptim, arkivi i Shoqatës nuk është thjesht pronë e një organizate. Ai është pjesë e trashëgimisë historike të Kosovës.
Liria si arritje historike dhe përgjegjësia e brezave
Sot jetojmë në një realitet tjetër nga ai në të cilin u themelua Shoqata.
Kosova është e lirë dhe e pavarur. Ideali për të cilin shumë njerëz u përndoqën, u burgosën dhe sakrifikuan është bërë realitet shtetëror.
Por realizimi i idealit nuk e mbyll historinë e përgjegjësisë. Përkundrazi, ai krijon një përgjegjësi të re: ta ruajmë kuptimin e lirisë, ta zhvillojmë demokracinë dhe të ndërtojmë institucione që garantojnë dinjitetin, drejtësinë dhe barazinë e qytetarëve.
Liria nuk është vetëm kujtim i një të kaluare të vështirë. Ajo është edhe mënyra se si sillemi sot me të vërtetën, me drejtësinë, me mendimin ndryshe dhe me të drejtat e njeriut.
Prandaj, përvoja e ish-të burgosurve politikë ka një domethënie që tejkalon brezin e tyre. Ajo na kujton se asnjë pushtet nuk duhet të vendoset mbi të drejtën e njeriut për të menduar, për të besuar dhe për të shprehur bindjet e veta politike.
Tridhjetëvjetori nuk duhet të jetë vetëm një pikë përmbledhëse e së kaluarës. Ai duhet të jetë edhe një pikënisje për një fazë të re të përgjegjësisë sonë.
Na mbetet të vazhdojmë dokumentimin e plotë të historisë së të burgosurve politikë, të ruajmë dhe sistematizojmë arkivin, të mbështesim hulumtimet shkencore dhe të sigurojmë që kjo histori të zërë vendin e merituar në institucionet edukative, arsimore dhe kulturore të Kosovës.
Po ashtu, është detyrim shoqëror që brezat e rinj të mos e njohin lirinë vetëm si një realitet të gatshëm, por edhe si një arritje historike që ka pasur çmimin e vet.
Të nderuar të pranishëm,
Tridhjetë vjet pas themelimit, Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës duhet të vazhdojë të jetë institucion i kujtesës, i dëshmisë dhe i dinjitetit.
Sot nderojmë të gjithë ata që vuajtën nëpër burgjet politike, ata që nuk u kthyen më, ata që e bartën barrën e burgosjes gjatë gjithë jetës dhe familjet që ndanë me ta çmimin e qëndresës.
Nderojmë edhe ata që në vitin 1996 patën vizionin dhe guximin ta themelonin këtë Shoqatë, duke e kuptuar se liria nuk duhet vetëm të arrihet, por edhe të dëshmohet, të kujtohet dhe të mbrohet.
Duhet ta falënderojmë veçanërisht Avdi Fejzën, i cili, përmes bashkëpunimit me Caritasin nga Olzbergu i Gjermanisë, e ndihmoi materialisht Shoqatën dhe, nëpërmjet saj, edhe UÇK-në!
Urime 30-vjetori i themelimit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës!
Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës!
Më 26 nëntor 2026, Prishtinë



