“Urdhri erdhi nga lart”, Rama kërkon përgjegjësi për pengimin e muralit të Nënës Terezë

27 nëntor 2026 | 19:46

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi sonte është penguar vendosja e muralit të Nënës Terezë në kryeqytet, pavarësisht se Komuna e Prishtinës kishte dhënë lejen për realizimin e këtij projekti.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Rama ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të sqarojë arsyet e ndërhyrjes dhe personat përgjegjës për ndalimin e vendosjes së muralit.

Sipas Ramës, ekipi që po merrej me vendosjen e muralit ka deklaruar se polici në vendngjarje u kishte thënë se urdhri për ndalimin e punimeve kishte ardhur “nga lart”.

Ai ka kërkuar që Policia të identifikojë personin që ka dhënë urdhrin dhe të bëjë publik vendimin mbi bazën e të cilit është ndërmarrë ky veprim.

“Kush është ‘lart’ në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje?”, ka shkruar Rama.

Në reagimin e tij, kryetari i Prishtinës ka kërkuar përgjigje nga Policia lidhur me vendimin për ndalimin e vendosjes së muralit, bazën ligjore të ndërhyrjes, personat që kanë kërkuar dhe urdhëruar veprimin, si dhe nëse ka pasur presion politik mbi Policinë.

Deri më tani, në reagimin e publikuar nga Rama nuk janë dhënë hollësi për ndonjë vendim zyrtar që ka çuar në ndalimin e punimeve.

Reagimi i plotë i tij:

SKANDALOZE! Kujt i përgjigjet shteti ynë? Urdhrave politikë?!

Sonte u pengua vendosja e muralit të Nënës Terezë në Prishtinë. Komuna e Prishtinës, që lëshon lejet për hapësirat publike n’Kryeqytet, e kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit.

Sipas ekipit që po e vendoste muralin, përgjigjja e policit në vendngjarje ishte se urdhri kishte ardhur “nga lart”. Policia duhet ta sqarojë publikisht këtë deklaratë, ta identifikojë personin që dha urdhrin dhe ta bëjë publik vendimin mbi të cilin veproi!

Kush është “lart” në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje?

Kërkoj llogari nga Policia e Kosovës.
Me çfarë vendimi u ndalua vendosja?
Mbi cilën bazë ligjore?
Kush e kërkoi ndërhyrjen dhe kush e urdhëroi?
Kush bëri presion politik mbi Policinë?

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ka ndarë Medaljen “Shërbim…