Hykmete Bajrami sfidon Qeverinë për 800 kilometrat e rrugëve: Publikojeni listën, rrugë për rrugë!
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me raportimin për investimet në infrastrukturë, duke vënë në pikëpyetje pretendimin se gjatë mandatit janë ndërtuar 800 kilometra rrugë.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se në raportin e Qeverisë, rrugët e papërfunduara janë paraqitur si kursime, ndërsa investimet e planifikuara si suksese.
Ajo ka përmendur 150 milionë euro të paraqitura si kursime për rrugën Kijevë–Zahaq, për shkak të anulimit të shpronësimeve, si dhe 200 milionë euro të parapara për hekurudhën Hani i Elezit–Leshak.
Bajrami ka kritikuar edhe mirëmbajtjen e rrugëve, duke përmendur 51.5 milionë euro për 19 kontrata, ndërsa ka thënë se gjendja në terren nuk reflekton mirëmbajtjen e duhur.
Deputetja e LDK-së i ka kërkuar Qeverisë që të publikojë një listë të detajuar të 800 kilometrave të rrugëve që pretendon se i ka ndërtuar gjatë mandatit.
Ajo ka kërkuar që lista të përmbajë emrat e rrugëve, kilometrat, datën e përfundimit dhe burimin e financimit, në mënyrë që të bëhet dallimi mes investimeve të Qeverisë, bashkëfinancimeve dhe projekteve të realizuara nga komunat.
“800 km. Publikojeni listën!”, ka shkruar Bajrami në reagimin e saj.
Postimi i plotë i saj:
800 kilometra rrugë të ndërtuara gjatë mandatit, ku janë?
Të nderuar qytetarë,
Në raportin e ”perlave të Kurtit” rrugët e pakryera paraqitën si kursime, e investimet e planifikuara si suksese. Shiheni vetë çka shkruan në foto, pjesë nga raporti.
– 150 milionë euro “kursime” për rrugën Kijevë – Zahaq. Qeveria thotë se i ka kursyer duke i anuluar shpronësimet. Po rruga ku është? Normal se ke kursy për rrugën që nuk e ke kry. Kur të kryhet dil trego sa ka kushtu.
– 200 milionë euro të parapara për hekurudhën Hani i Elezit – Leshak. Në raport shkruan “investime të parapara”. Seriozisht, ky është suksesi juaj?
Ajo çka ju keni paraparë pas gjatë vitesh në pushtet!
Gjendjen e hekurudhave dhe të trenave në Kosovë e dimë të gjithë e edhe sukseset në këtë sektor po ashtu.
– 51,5 milionë euro për 19 kontrata të mirëmbajtjes së rrugëve.
Ata që janë sot në rrugë e shohin vetë çfarë mirëmbajtjeje po marrin. Rrugë me borë gjithandej, e në shumë prej tyre s’po shihet kush duke i pastruar.
– 800 kilometra rrugë të ndërtuara gjatë mandatit.
Këtu e sfidoj Qeverinë. Publikojeni listën, rrugë për rrugë, me kilometrat, datën e përfundimit dhe kush e ka financuar secilën. Të shohim sa kilometra i ka ndërtuar Qeveria, sa janë bashkëfinancuar dhe sa i kanë shtruar vetë komunat. Komunat marrin vetëm rreth 21% të buxhetit të përgjithshëm dhe punën që e kanë bërë me buxhetin e tyre, le t’ua njohim atyre.
”800 km”
Publikojeni listën!



