Lahi Brahimaj kujton pafajësinë në Hagë: Uroj që edhe çlirimtarët e tjerë të kthehen të pafajshëm në Kosovë

29 nëntor 2026 | 11:17

Ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka përcjellë një mesazh me rastin e 29 Nëntorit, duke e cilësuar këtë datë si ditë të veçantë, në të cilën shënon edhe pafajësinë e tij, të Ramush Haradinajt dhe Idriz Balajt në proceset gjyqësore në Hagë.

Në një postim publik, Brahimaj ka rikujtuar rrugëtimin e tij nëpër sfidat e drejtësisë ndërkombëtare, duke theksuar se ka qëndruar i palëkundur në mbrojtje të së vërtetës, lirisë dhe dinjitetit të popullit shqiptar.

Ai ka shprehur shpresën që edhe ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së, të cilët aktualisht po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, të kthehen të pafajshëm nga rigjykimi.

Mesazhi i Brahimajt merr një domethënie të veçantë në ditët e festave të Nëntorit, kur kujtesa për luftën çlirimtare, sakrificën dhe fatin e drejtuesve të UÇK-së në Hagë vazhdon të jetë pjesë e debatit publik shqiptar.

Brahimaj ka shprehur krenarinë për rrugëtimin e tij dhe mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që i qëndruan pranë.

Postimi i plotë i tij:

Pas festës së 28 Nëntorit, sot shënojmë pafajësinë time, të Ramushit dhe të Idrizit në Hagë.

Kjo është një datë e rëndësishme jo vetëm për familjen tonë, por për të gjithë shqiptarët. Për mua, ajo mbetet një kujtim i veçantë i një rrugëtimi të vështirë, në të cilin qëndrova i palëkundur në mbrojtje të së vërtetës, lirisë dhe dinjitetit të popullit tim.

Në këtë muaj të shenjtë për kombin tonë, uroj që edhe çlirimtarët që ndodhen sot në Hagë të kthehen të pafajshëm nga rigjykimi dhe t’u japin edhe më shumë kuptim festave të Nëntorit.

Krenar për rrugëtimin tim dhe për të gjithë ata që qëndruan pranë meje. 🇦🇱

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përkujtuar dëshmorët që dhanë…