Kamberi sqaron marrëveshjen për bashkëdrejtimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës
Shaip Kamberi zbulon synimin kryesor të shqiptarëve në zgjedhjet në Serbi: Integrimi në institucionet shtetërore në komunat e tyre
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka folur për marrëveshjen e formalizuar për bashkëdrejtimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, gjatë një takimi në Qeverinë e Kosovës me kryeministrin Albin Kurti.
Sipas Kamberit, Këshilli do të udhëhiqet nga Enkel Rexhepi, ndërsa marrëveshja vjen pas bashkimit të subjekteve politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare.
Ai e ka cilësuar këtë si një hap drejt konsolidimit të bashkëpunimit politik dhe institucional të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kamberi ka theksuar se respektimi i vullnetit të qytetarëve, gjithëpërfshirja dhe ndarja proporcionale e përgjegjësive duhet të jenë bazë e funksionimit të Këshillit.
Ai ka falënderuar kryeministrin Kurti për angazhimin në bashkimin e politikës shqiptare në Luginë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës.
“Përbashkimi duhet të dëshmohet me bashkëpunim, punë dhe rezultate konkrete për qytetarët tanë”, ka shkruar Kamberi.



