Hakerët rusë kanë synuar të diskreditojnë hetimet në ShBA
Zyra e Këshilltarit Special në Shtetet e Bashkuara, Robert Mueller, ka thënë se Rusia ka vjedhur dhe ndryshuar të dhëna, në përpjekje për të diskredituar hetimet rreth përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në ShBA.
Në një dokument të publikuar në Uashington më 30 janar, prokurorët kanë thënë se llogaria “@HackingRedstone” në rrjetin social “Twitter”, është krijuar më 22 tetor, duke treguar me mburrje se ka hakuar disa nga të dhënat e një rasti që akuzon një kompani se ka financuar një fushatë propaganduese ruse me synimin e ndërhyrjes në zgjedhje.
“Ne kemi qasje në databazën e hetimeve të Këshilltarit Special, Robert Mueller dhe ne kemi hakuar serverin rus”, është cituar në dokument postimi i bërë në “Twitter”.
Zyra e Muellerit ka thënë se kjo llogari ka pretenduar të ketë vjedhur të dhëna për kompaninë “Concord”.
Mirëpo sipas prokurorëve, të dhënat që kjo llogari ka publikuar online “janë ndryshuar dhe shpërndarë, në kuadër të një fushate dezinfomuese që duket se ka pasur qëllim diskreditimin e hetimeve të vazhdueshme rreth ndërhyrjes ruse në sistemin politik të SHBA-së”.
“Concord”, është vetëm një nga tri subjektet dhe 13 individët që janë akuzuar në shkurt të vitit të kaluar nga Muelleri, me pretendimet se kanë kryer fushatë dezinformuese gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale më 2016.