Taksa të mbetet deri sa t’i arrijë efektet
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka deklaruar se ky subjekt politik e përkrah kryeministrin Ramush Haradinaj në qëndrimin për taksën ndaj produkteve serbe.
Ai ka thënë se taksa duhet të qëndrojë deri në arritjen e efekteve të saj.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Shala ka vlerësuar se partnerët e koalicionit qeverisës duhet të bisedojnë me miqtë amerikanë dhe të gjejnë një konsensus rreth kësaj çështje.
“Taksa ndaj produkteve serbe duhet të qëndrojë derisa t’i arrijë efektet për çfarë është vendosur. Në momentin që taksa arrin efektet, atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta rishikojë mundësinë e tërheqjes apo zvogëlimit të saj”, ka thënë Shala.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate ka theksuar se kërkesat e vazhdueshme të ShBA-së për pezullim të taksës nuk i konsideron presion.
Shala nuk beson se kjo çështje mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Madje, sipas tij, do të ishte gabim i madh nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të reja për shkak të taksës ndaj mallrave serbe.
“Besoj se as PDK-ja dhe as partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës nuk janë të interesuar të shkojnë në zgjedhje për shkak të taksës ndaj mallrave serbe. Kushdo që mendon se për këtë çështje vendi duhet të shkojë në zgjedhje e ka gabim. Besoj se një veprim i tillë është gabim edhe për atë subjekt politik dhe për vetë qytetarët e Kosovës”, është shprehur Shala.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)



