Toronto e Milwaukee kualifikohen në çerekfinale
Skuadra kampione e Golden State u mund 115-111 nga Phoenixin, një humbje e papritur e kryesuesve të Konferencës së Perëndimit. Ndeshje me rivalitet dhe emocione, sidomos në pjesën e dytë, ku herë kryesonte njëri ekip e herë tjetri. Thompson realizoi 28 pikë e Duranti 25, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen, ndërsa për miqtë u dallua Booker me 37 pikë e 11 asistime.
Fiton edhe skuadra e San Antonio, që mundi 121-114 Milwaukee, ndeshje me dy pamje: Më e mirë për miqtë në të parën, ndërsa në të dytën erdhi përmbysja e Spurs. Aldridge me 29 pikë e 15 rebound e DeRozan me 28 pikë bënë diferencën në parket për teksanët, duke i bërë të pavlefshme 27 pikë e 13 rebound të Antetokounmpo.
Pavarësisht humbjes, skuadra e Milwaukee ruan kreun në renditje në Konferencën e Lindjes dhe siguron që tani kualifikimin në çerekfinalet e “play-off”-it. Bashkë me të edhe Toronto, që mundi sot 125-104 Miami. Ndeshje e dominuar nga basketbollistët e ekipit kanadez, me 8 lojtarë që realizuan mbi 10 pikë (Lowry 24 pikë më i miri).
Në sekondat e fundit fiton skuadra e Houstonit, që mundi 94-93 Dallasin, ndeshje me rivalitet dhe emocione, me skuadrën e Rockets që kishin vazhdimisht epërsinë. Gordoni me 26 pikë ishte shënuesi më i mirë. Detroit, falë 28 pikëve të Blake Griffin mundi 131-108 Chicagon, ndërsa skuadra e Philadelphias fitoi 106-89 ndaj Indianas, sfidë ku u dallua Embiid me 33 pikë e 12 rebound.
Rezultatet
Detroit – Chicago 131-108
Miami – Toronto 104-125
Philadelphia – Indiana 106-89
Atlanta – New Orleans 128-116
Memphis – Orlando 105-97
Dallas – Houston 93-94
Minnesota – New York 103-92
San Antonio – Milwaukee 121-114
Golden State – Phoenix 111-115