Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të komunave në veri

10 prill 2019 | 16:58

Lista Serbe, subjekt politik që aktualisht përfaqëson komunitetin serb në Kosovë në institucionet lokale dhe ato qendrore, ka vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, të shpallura për datën 19 maj.

Vendimi për pjesëmarrje në zgjedhje, pasoi takimin e krerëve të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Beograd.

“Nuk do t’i lejojmë as Prishtinës e as kujtdo nga bashkësia ndërkombëtare që në ato funksione të sjellin shqiptarë e as marioneta serbe, të cilët do të punojnë siç u thonë ata”, ka thënë pas takimit me presidentin Vuçiq, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, raporton “Rel”.

Ndërkaq, presidenti Vuçiq, ka deklaruar se vendimi rreth pjesëmarrjes u takon pikërisht përfaqësuesve serbë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të hënën e kësaj jave zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se ka filluar menjëherë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Katër kryetarët e këtyre komunave, më 27 nëntor të vitit 2018, dhanë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.

Këto komuna janë udhëhequr nga Lista Serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizatori i Lojërave Evropiane “Minsk 2019”, i ka konfirmuar sot…