Ligji për Sponsorizim jep shkëndijat e para
Skuadra e Ferizajt, e cila bën pjesë në Superligën e Kosovës dhe Besa e Pejës, si një ndër skuadrat më të trofeshme në vend, pritet të forcohen financiarisht dhe të jenë skuadra serioze në edicionin 2019/2020 pas miratimit të Ligjit për Sponsorizim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Miratimi i Amendamentit numër 5 që ka të bëjë me Ligjin për tatimin në të ardhurat në korporata ka filluar t’i japë shkëndijat e para në sport, konkretisht në futboll. Klubi i Ferizajt, i cili bën gara në rangun më të lartë të futbollit në Kosovë, pra në IPKO Superligë, ka paralajmëruar se shumë shpejt klubi pritet të privatizohet nga biznesmenë të fuqishëm në Komunën e Ferizajt, por ka të tillë të interesuar edhe nga jashtë. “KF Ferizaj së shpejti pritet të privatizohet nga një grup i firmave më të mëdha të qytetit tonë, gjithashtu interesim për ta privatizuar klubin tonë kanë shprehur edhe disa investitorë jashtë vendit tonë. Brenda kësaj jave pritet të finalizohet marrëveshja dhe t’i fillojmë menjëherë përforcimet në klub, që të jemi sa më konkurrentë në sezonin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e skuadrës së Ferizajt.
Një tjetër klub i madh në futbollin e Kosovës, Besa e Pejës, shumë shpejt mund të këndellet në aspektin financiar, pasi biznesmenët e fuqishëm nga qyteti i Pejës do të investojnë në këtë klub, i cili ka hequr shumë në aspektin financiar në vitet e fundit dhe, si pasojë e kësaj, ka rënë në Ligën e Parë dhe është pjesë e saj për të dytin vit me radhë. Klubi pejan humbi shansin për t’u rikthyer në Superligë, pasi humbi në barazh nga Gjilani dhe që nga atëherë ka vazhduar një heshtje e madhe publike, por në prapaskenë janë duke u zhvilluar bisedime që pronari i “Elkos Grupit”, Ramiz Kelmendi dhe ai i korporatës “Dukagjini”, Ekrem Lluka, të investojnë në skuadrën e Besës në mënyrë që ajo të rikthehet në majat e futbollit të Kosovës.
“Shumë shpejt pritet që biznesmenët Ramiz Kelmendi dhe Ekrem Lluka të investojnë në skuadrën e Besës”, ka thënë një burim i gazetës brenda skuadrës pejane. Edhe një nga lojtarët më të mirë në futbollin e Kosovës, Dugagjin Gashi, ka vendosur të rikthehet në skuadër. Plani është që në “Shahin Haxhiislami” të mbesin disa nga lojtarët kryesorë dhe shumë të tjerë të “aterojnë” gjatë këtij afati kalimtar. Gazeta mëson se edhe Fisnik Papuqi do të rikthehet në skuadrën e Besës me të cilin arriti sukseset më të mëdha si futbollist.
/Veton ZYMBERI/