10 vitet e progresit dhe regresit ekonomik të Kosovës

17 shkurt 2018 | 12:08

Përfaqësues të Asociacioneve të bizneseve në Kosovës, Berat Rukiqi dhe Agim Shahini, si dhe përfaqësuesi i shoqatës së eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se gjatë 10 viteve të shtetësisë, Kosova ka është shënuar progres ekonomik.

Ata kanë theksuar se ka mundur të bëhet dhe më shumë sidomos tek punësimi, mbështetja e sektorit privat, eksporti, tërheqja e investimeve të huaja, si dhe të liria e lëvizjes.

Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se pas dhjetë vitesh shtet është shënuar progres ekonomik sa i përket infrastrukturës dhe integrimit me ndërtimin e autostradave. “Viti 2018 e ka gjetur Kosovën me infrastrukturë tejet më të mirë se dhjetë vite më herët. Investimet në infrastrukturën rrugore nga dikush u kritikuan se kinse paratë po shkojnë në asfalt, megjithatë ne vlerësojmë se infrastruktura fizike në Kosovë ka pas nevojë për përmirësim, gjithashtu ka nevojë dhe më tutje.

Pra, në mënyrë që të përshpejtohet koha e transportit të mallrave, por dhe të ulët kosto e prodhimit”, ka thënë Shahini, duke shtuar se sa i përket çështjeve tjera integruese, Kosova mbetet mbrapa si vendi më i izoluar në Ballkan dhe Evropë.

“Asnjë qeveri s’po e merr fajin mbi supet e veta për këtë izolim. Ne vlerësojmë se të gjitha qeveritë nuk e kanë kryer punën e vet sa i përket integrimit të Kosovës dhe liberalizimit të vizave”, ka thënë Shahini.

Ai ka theksuar se në mungesë të strategjisë kombëtare për zhvillim ekonomik, Kosova nuk ka arritur të jetë vend stabil për investitorët e huaj.

“Në mungesë të strategjisë kombëtare për zhvillim ekonomik, kemi pasur investime jo të planifikuara. Shpesh kemi pasur investime të dështuara. Ka raste kur na kanë ikur investitorët për shkak se nuk ka pasur legjislacion për siguri të investimeve, por për shkak edhe të burokracisë dhe korrupsionit”, ka thënë Shahini. Ai ka pohuar se mbetet për të bërë më shumë në aspektin e punësimit. “Punësimi në Kosovë nuk ka ndodhur si është menduar, në anën tjetër skemat social çdo ditë po rriten. Duhet të ketë një strategji për ta luftuar varfërinë”, ka thënë ai.

Po ashtu, Shahini ka dhënë edhe vërejtjet që kanë karakterizuar vendin për dhjetë vite të shtetësisë.

“Në aspektin ekonomik kemi konsumin më të madh të importit në Ballkanin Perëndimor, eksportet janë të limituar dhe prodhimtaria vendore është e dobët karshi konkurrencës së jashtme. Nga 1 janari janë ndërmarr masat fiskale dhe pritet të shohim efektet e saj në të ardhmen, por mundësitë e Kosovës për të qenë lidere në Ballkan nuk i kemi shfrytëzuar, e kjo ka ndodhur në saje të kufizimit të shumë faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm.
Mirëpo, pas 10 vitesh Kosova duhet ta merr veten. Të gjitha burimet që i kemi në Kosovë duhet t’i shfrytëzojmë dhe ta ruajmë kapacitetin human dhe fuqinë punëtore”, ka thënë Shahini.

Kurse, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka thënë për gazetën “Epoka e re” se sektori privat, cilësia në arsim, lëvizja e lirë dhe imazhi i vendit, mbesin akoma për t’u dëshiruar. Sipas tij, me të arriturat e deritashme Kosova demantojë skeptikët e pavarësisë së saj.

“Sektori privat është një nderë faktorët kryesorë që Kosova të jetë storie suksesi në shtetndërtim. Kosova ka demantuar skeptikët dhe kundërshtarët e pavarësisë, të cilët argumentonin zëshëm se Kosova s’mund të këtë qëndrueshmëri ekonomike. Një dekadë shkoj dhe ne ende dominohemi nga produktet e huaja. Andaj, është koha për prodhime vendore dhe eksporte të tyre në tregjet ndërkombëtare”, ka thënë Rukiqi.

Ai ka theksuar se Kosova prodhon shumë diploma, kurse pak punëtorë të shkathtë për tregun e punës. “Edhe pas 10 viteve shtetësi ende nuk kemi furnizim të rregullt me energji elektrike. Një dekadë po e shënojmë me një kërkese bazike, të lëvizim të lirë në rajon dhe Evropë”, ka deklaruar Rukiqi.

Kurse, kryetari i Shoqatës së Eksportueseve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se gjatë këtyre dhjetë viteve është shënuar progres i theksuar sa i përket eksportit.

Ai ka kujtuar kohën e menjëherë pasluftës kur eksporti përbënte vetëm 3-5 % të totalit. Por sipas tij, në këtë aspekt mbetet për t’u dëshiruar.

“Mund të themi se kemi zhvillim edhe të ekonomisë edhe të eksporteve. Ju e dini që menjëherë pasluftës eksportet e kompanive kanë qenë diku 3-5%, tash kemi diku rreth 15%. Sigurisht se ka pasur progres, pra por ekonomia e Kosovës është duke u zhvilluar, sigurisht që nuk është i kënaqshëm ai progres, mendoj se ka hapësirë më tepër për t’u zhvilluar.Kosovën e presin ditë të mira me hyrje në BE me anë të marrëveshje së MSA-së”, ka deklaruar Hasani.

Ai ka shtuar se me anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregtisë, Kosova do të krijojë një bazament të shtetndërtimit.

“Shoh se në një të ardhme shumë të shpejt Kosova do të jetë anëtare e Organizatës Botërore për Tregti dhe e ardhmja jonë është kah Bashkimi Evropian dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shpresoj se me krejt këto pengesa që i kemi dhe me punën ose mospunën e njerëzve tanë, ka progres të pakontestueshëm. Ka pasur mundësi të bëhet edhe më shumë. Mendoj se Kosova ka krijuar një bazë të mirë për të rinjtë tanë”, ka thënë Hasani.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar…