Qalaj: Më shumë se 100 policë kanë probleme serioze shëndetësore

19 shkurt 2020 | 17:18

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se më shumë se 100 policë kanë probleme serioze shëndetësore, dhe se ata janë duke marrë trajtim adekuat shëndetësor.

Sipas tij, sëmundjet më të cilat përballen policët janë të natyrave të ndryshme duke përfshirë edhe sëmundjet psikike. “Ne kemi mjaft kolegë që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, nga sëmundje të rënda duke përfshirë edhe disa kolegë që vuajnë nga sëmundje psikike. Të gjithë janë duke u trajtuar në aspektin mjekësor”, ka deklaruar Qalaj.

Qalaj ka pohuar se për rastet në të cilat zyrtarët policorë kanë probleme të tilla shëndetësore, parashihen edhe masat siç është ri-sistemimi në pozita tjera të punës. “Shumica prej tyre punojnë me detyra të lehtësuara, pa armë, pa pajisje, mirëpo për shkak të moseksiztimit të ligjeve adekuate ne duhet t’i mbajmë ata në punë dhe maksimalisht bëjmë përpjekje që t’i sistemojmë aty ku ata mund të kryejnë ndonjë punë dhe ta ndjejnë veten se janë pjesë e sistemit”, ka thënë Qalaj.

Drejtori i Policisë së Kosovës, i bëri këto komente në Gjilan, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

I pyetur për rastin e së martës ku një zyrtare policore dyshohet se vrau me armën e saj zyrtare nënën, babanë dhe dy vëllezërit e më pas edhe veten, Qalaj, refuzoi që të jep detaje, duke thënë se rasti është nën hetim dhe se të gjitha detajet do të zbardhen nga prokuroria.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e ministrit të Financave,…