Turniri “Thank You USA & Diaspora”, në dorë të Qeverisë

13 mars 2018 | 11:44

Legjenda e boksit të Kosovës, Aziz Salihu, ka thënë për gazetë se mbajtja e turnirit “Thank You USA & Diaspora” është në dorën e Qeverisë së Kosovës, pasi përkrahja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është e pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet. “Për turnirin ‘Thank You USA & Diaspora’ kam marr premtim nga Qeveria dhe jam në pritje”, ka thënë Salihu.

Turniri i boksit “Thank You USA & Diaspora”, i paraparë të mbahet më 3 mars, është shtyrë për datën 17 mars, për shkak të mospërkrahjes nga Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës. Legjenda e boksit të Kosovës, Aziz Salihu, që është organizator i këtij turneu, ka thënë të hënën për “Epokën e re” se është shumë optimist se do të përkrahet projekti i tij nga Qeveria dhe turniri nuk do të dështojë. “Nuk po kam përkrahjen e duhur nga institucionet e vendit, ani pse kontributi im për sport është mjaft i madh. Kam qenë i rrahur dhe i maltertuar në kohën e okupimit, kurse kam dhënë kontribut të madh për themelimin e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Sportit të Pavarur. Kam organizuar shumë e shumë turne, por anashkalimi që po më bëhet është i pabesueshëm. Për turnirin ‘Thank You USA & Diaspora’ kam marr premtim nga Qeveria dhe jam në pritje”, ka thënë Salihu, i cili më pas ka treguar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka përkrahur, por jo aq sa duhet për të mbajtur një turnir me shtatë shtete pjesëmarrëse.

“Ministria e Sportit më ka përkrahur me 3 700 euro, por këto janë të pamjaftueshme për të mbajtur një turnir të tillë e ku janë pjesëmarrës shtatë shtete. Për të mbajtur këtë turnir nuk jam duke kursyer as paratë e mia që i kam për ilaçe. Do ta bëj të pamundurën që ky turnir mos të dështojë. Nëse nuk më përkrah Qeveria, atëherë do të kërkoj ndihmohem nga donatorë të ndryshëm”, ka shtuar legjenda e boksit të Kosovës.

Aziz Salihu ka treguar edhe për qëllimin e mbajtjes së turnirit “Thank You USA & Diaspora”, duke thënë se kjo është forma më e mirë për t’i nderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diasporën shqiptare. “Qëllimi është që nëpërmjet këtij turniri ta falënderojmë Amerikën për kontributin e madh që ka bërë për shtetin e Kosovës, por edhe diasporën në përgjithësi që gjithmonë ka kontribuar shumë për atdheun. Përveç meçeve të boksit, kam planifikuar të ketë edhe muzikë me këngëtarë të njohur si Ismet Pejën dhe Afrim Muqiqin”, ka shtuar ai. Shtetet pjesëmarrëse në këtë turne, përveç Kosovës, janë edhe Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia dhe Gjermania.

Koha e fundit që të ndihmohet Klubi i Boksit “Prishtina”

Aziz Salihu është treguar tejet i entuziazmuar. Ai ka filluar të flasë për klubin e tij të zemrës, KB Prishtina. Ai ka thënë se ky klub me emër të madh jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë është harruar plotësisht nga njerëzit që janë në krye të institucioneve, kurse boksierët janë duke u stërvitur në kushte jashtëzakonisht të vështira.

“Jam kryetar i Klubit të Boksit Prishtina. Krejt çfarë kam bërë në këtë klub janë me paratë e mia. Aspak nuk kam pasur përkrahje. Nëse ky klub nuk kishte ekzistuar, askush në botë nuk do të kishte dëgjuar për sportin e Kosovës. Tash është koha e fundit që pushtetarët të vijnë e të na ndihmojmë e të bëjmë kushte për të nxjerrë boksierë të nivelit ndërkombëtar”, ka deklaruar Salihu. “Kosova gjithmonë ka pasur dhe ka potencial në boks, vetëm duhet punë edhe më e madhe dhe kushte më të mira për të nxjerrë boksierë që mund ta përfaqësojnë Kosovën. Nëse duam rezultate, duhet të investojmë. Tash për tash i kam 6-7 boksierë që me përkrahje më të madhe mund të kisha sjell rezultate kulmore”, ka deklaruar Salihu, i cili ndihet i zhgënjyer edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) që nuk e ka futur në listën e kategorizimit të sportistëve. “Ashtu siç kam lindur unë për sportin e boksit, ashtu ka lindur edhe Donjeta Sadiku. Ajo nuk duhet të anashkalohet, pasi është talente e madhe në një sport të fortë siç është boksi. Jam i befasuar që Komiteti Olimpik e ka anashkaluar dhe nuk e di pse Besim Hasani e lejon një gjë të tillë. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm ta ndihmojmë Donjetën dhe sportistët e tjerë që kanë kualitete të tillë”, ka shtuar ai.

Në fund të bisedës për “Epokën e re”, sportisti i shekullit në Kosovë, që është fitues i mbi 30 medaljeve te arta në turnirë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe tri herë pjesëmarrës në Lojëra Olimpike, ku edhe e ka fituar medaljen e bronztë në Los Angeles, ka kërkuar mos të nënçmohet nga njerëzit e politikës që janë duke e drejtuar shtetin për të cilin nuk ka kursyer asgjë gjatë jetës së tij.

 

(Veton ZYMBERI)  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan Jakup Krasniqi Kur po flasim për raportet shqiptare e…