Krasniqi: Në klinikat e QKUK-së dhe spitalet regjionale po trajtohen 314 raste me Covid-19, 13 në gjendje kritike
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi, në një konferencë për medie ka dhënë detaje lidhur me numrin e pacientëve që kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 dhe që po trajtohen në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet regjionale.
Krasniqi ka thënë se në Klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës aktualisht po trajtohen 494 pacientë të konfirmuar dhe të dyshuar për Covid-19, duke shtuar se 13 prej tyre janë në gjendje kritike.
“Sot nëpër klinikat Covid të QKUK-së dhe në spitalet rajonale të Kosovës janë duke u trajtuar 494 raste të dyshuar për Covid-19. 314 raste janë të konfirmuar me Covid-19. Nga 314 raste, 177 pacientë po trajtohen në klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, dhe 137 të tjerë në spitalet regjionale”.
“Nga numri total kemi 13 pacientë në ventilim mekanik ose si të intubuar apo i vlerësojmë në gjendje kritike, dhe kemi 23 pacientë të tjera i kemi me metodë joinvazive të ventilimit apo të njohur si ‘cipar’”, ka thënë Krasniqi.



