Një muaj paraburgim për punëtorin e Thesarit
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj punëtorit të Thesarit të Kosovës, në rastin e transferit të 2 milionë eurove nga ky institucion shtetëror në një kompani private, raporton “Epoka e re”.
Gjykata ka njoftuar se i pandehuri me iniciale L.G dyshohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“I pandehuri L.G dyshohet se me datë 09 tetor 2020 në cilësinë e personit zyrtar ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke realizuar transaksione në vlerë prej 2,077,995.90 euro në adresë të një kompanie, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 2,077,995.90 euro dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Gjykata Themelore e Prishtinës.
L.G, punëtor i Thesarit të Kosovës, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk me bazë në Llapushnik të Drenasit.


