D4D u shkruan letër subjekteve politike për barazi gjinore në procesin zgjedhor

14 janar 2021 | 14:47

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), më anë të një letre publike ka ftuar të të gjitha subjektet politike të demonstrojnë frymë demokratike  dhe  gjithëpërfshirëse. “D4D  iu  bëri thirrje  subjekteve  politike  të angazhohen  në  përfshirjen  e  grave  dhe  burrave  në  mënyrë  të  barabartë  në  të  gjithë ciklin e procesit zgjedhor përmes: Rritjes së përfshirjes së grave në listat zgjedhore përtej kriterit minimal, përfshirjes së grave në trupat menaxhues zgjedhor, ofrimit të hapësirës së denjë dhe të garantuar në përfshirje të barabartë në fushatë zgjedhore dhe debate televizive, respektimit të masave mbrojtëse kundër përhapjes së virusit Covid-19”, është thënë në letrën e D4D-së.

Letra e plotë :

Me   afrimin   e   fushatës   zyrtare   zgjedhore   dhe   përpilimin   e   listave   zgjedhore   për zgjedhjet  e  parakohshme  për  Kuvendin  e  Republikës  së  Kosovës  më  14  shkurt  2021, Instituti Demokraci për Zhvillim fton të gjitha subjektet politike të demonstrojnë frymë demokratike  dhe  gjithëpërfshirëse.  Instituti  D4D  iu  bën  thirrje  subjekteve  politike  të angazhohen  në  përfshirjen  e  grave  dhe  burrave  në  mënyrë  të  barabartë  në  të  gjithë ciklin e procesit zgjedhor përmes:

  1. Rritjes së përfshirjes së grave në listat zgjedhore përtej kriterit minimal

Gratë  në  Kosovë  mbesin  të  nën  përfaqësuara  fillimisht  në  listat  zgjedhore  e  më  pas edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës si Deputete. Subjektet politike përpilimin e listave zgjedhore e bëjnë në bazë të Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën  e  Kosovës,  duke  anashkaluar  Ligjin  nr.  05/L-020  për  Barazi  Gjinore.  Në Zgjedhjet   për   Kuvendin   e   Kosovës   në   vitin   2019   të   gjitha   subjektet   politike   të certifikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, kanë respektuar vetëm kriterin minimal të përfshirjes së grave në lista me vetëm 343 gra kandidate nga gjithsej 1,067 sosh.

Ligji për Barazi Gjinore është instrumenti kyç për trajtimin e çështjeve gjinore në Kosovë. Neni 6.8 i këtij ligji thekson se: “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”. Duke u bazuar në këtë inkurajojmë të gjitha subjektet politike që të bëjnë përpilimin e listave zgjedhore në mënyrë të barabartë 50/50 për secilën gjini.

  1. Përfshirjes së grave në Trupat Menaxhues Zgjedhor

Përveç përfaqësimit të ulët në lista zgjedhore, përfshirja e grave në proceset zgjedhore vazhdon të  jetë  sfidë  edhe më e  theksuar. Gratë nuk  janë të  përfaqësuara në nivel  të barabartë   në   radhët   e   personelit   zgjedhor,   përkatësisht   në   Trupat   Menaxhues Zgjedhor.  Në  zgjedhjet  e  parakohshme  të  vitit  2019  nga  numri  i  përgjithshëm  i anëtarëve  të  KKZ-ve,  vetëm  16%  e  tyre  ishin  gra,  ndërsa  vetëm  katër  nga  gjithsej  38 kryesues të KKZ-ve ishin gra.

Instituti Demokraci për Zhvillim inkurajon të gjitha subjektet politike që të emërojnë në mënyrë të barabartë gratë dhe burrat në pozitat në terren dhe ato udhëheqëse, si në:

  • Komisione Komunale Zgjedhore (KKZ);
  • Këshilla të Vendvotimit (KVV);
  • Vëzhguese në ditën e zgjedhjeve;
  • Vëzhguese në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR);

III.  Ofrimit të hapësirës së denjë dhe të garantuar në përfshirje të barabartë në fushatë zgjedhore dhe debate televizive

Besimi  i  qytetarëve  dhe  përfshirja  e  grave  në  politikë  është  e  ndërlidhur  ngushtë  me paraqitjen  e  tyre  në  publik  përmes  tubimeve  të  vogla  dhe  pjesëmarrjes  në  debate televizive.  Instituti  Demokraci  për  Zhvillim  në  mënyrë  aktive  ka  përcjellë  të  gjitha zgjedhjet  në nivel nacional dhe atë lokal, me ç’rast ka vërejtur mungesë të theksuar të grave në këto aspekte. Në vitin 2019 gjatë fushatës zgjedhore në debate televizive ishin të  pranishëm  gjithsej  252  përfaqësues  të  subjekteve  politike,  prej  të  cilëve  190  burra dhe vetëm 62 gra. Andaj kërkojmë që gratë të kenë vazhdimisht hapësirë të barabartë me   burrat   brenda   subjekteve   politike   dhe   në   paraqitjet   publike   gjatë   fushatës zgjedhore.

  1. Respektimit të masave mbrojtëse kundër përhapjes së virusit Covid-19

Kosova  po  vazhdon  të  përballet  me  pandeminë,  dhe  duke  pas  parasysh  që  sigurimi  i vaksinave nuk është bërë në sasi të mjaftueshme sa do të mbulonte nevojat e të gjithë qytetarëve  të  Republikës  së  Kosovës,  shpërndarja  e  virusit  vazhdon  të  jetë  rrezik potencialisht i lartë. Andaj, ftojmë të gjitha subjektet politike të kenë kujdes të shtuar gjatë fushatës zgjedhore në mos grumbullim të një numri të madh të personave gjatë fushatës   në   mënyrën   fizike,   të   mbahet   distanca,   maskat   mbrojtëse,   përdorimi   i dezinfektuesve dhe të gjitha masat tjera të nevojshme në bazë të manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I ardhur me shumë bujë te Prishtina, futbollisti Gledi Mici…