MKRS-ja obligon federatat për mbajtjen e kuvendeve zgjedhore, në të kundërtën humbin licencën

26 janar 2021 | 14:48

Ministria Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një qarkoreje të lëshuar më 30 tetor 2020 fillimisht ka udhëzuar federatat sportive për t’i mbajtur Kuvendet e Rregullta Zgjedhore për ciklin olimpik 2021-2024. Federatat kanë afat deri më 28 mars për të mbajtur kuvendet zgjedhore, teksa më pas pritet të mbahet edhe Asambleja Zgjedhore në Komitetin Olimpik të Kosovës.

Sipas kësaj qarkoreje të cilën e ka siguruar Gazeta “Sheshi”, kuvendet e punës dhe ato zgjedhore për vitin 2019 është dashur të mbahen gjatë muajve janar, shkurt dhe mars të vitit 2020. Disa federate i kanë kryer kuvendet (E konfirmuar edhe nga KOK), por një e treta e federatave sportive, bashkë me KOK-un, nuk i kanë mbajtur kuvendet shkaku i përhapjes së koronavirusit.

Andaj, ky dikaster qeveritar kishte kërkuar nga të gjitha organizatat sportive që nuk i kanë mbajtur kuvendet e punës, t’i mbajnë ato, më së largu deri në fund të vitit 2020. Ministria përmes kësaj qarkoreje thotë se mbajtja e kuvendeve është detyruese.

Image

Qarkoreja e lëshuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për federatat sportive në vend (Faqja 1)

Image

Qarkoreja e lëshuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për federatat sportive në vend (Faqja 2)

Image

Qarkoreja e lëshuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për federatat sportive në vend (Faqja 3)

Kjo qarkore ishte fillimisht një udhëzim për federatat respektive, mirëpo mos zbatimi i saj mund të sjellë edhe masa ndëshkimore.

Kështu ka deklaruar edhe ushtruesi i detyrës së sekretarit në MKRS, Ibër Alaj, i cili në një prononcim për Gazetën “Sheshi” ka thënë se federatat duhet t’u përmbahen kësaj qarkore dhe të respektojnë statutet e tyre, të cilat janë të rregulluara me cikël olimpik.

Federatat të cilat nuk e bëjnë një gjë të tillë nuk do të licencohen, ndërkohë që edhe pasojat do të jenë të mëdha.

“Kjo qarkore me udhëzime e MKRS-së, vlen për të gjitha federatat, pa asnjë përjashtim. Të gjitha federatat duhet t’u përmbahen statuseve të tyre dhe t’i mbajnë kuvendet. Kushdo që nuk u përmbahet këtyre udhëzimeve nuk do të licencohet për ciklin olimpik 2021-2024 dhe nuk do t’u ndahen mjetet. Kjo nuk ka asgjë kundër askujt e as nuk bëhet për interes të dikujt. Thjesht, ka të bëjë me respektim të ligjeve, akteve normative dhe vendosjes së rendit dhe rregullit në sport”, ka deklaruar Ibër Alaj.

KOK: Federatat të respektojnë ciklet olimpike

Komiteti Olimpik i Kosovës është i vendosur gjithashtu për ta respektuar udhëzimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, madje ka inkurajuar të gjitha federatat ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë.

Presidenti i këtij institucioni, Besim Hasani, thotë për Gazetën “Sheshi” se është me shumë interes për federatat që të mbajnë kuvendet zgjedhore sipas ciklit olimpik, pasi që benifitet janë të mëdha, në të kundërtën ato do të ndalohen.

Image

“KON na ka udhëzuar që të gjejmë marrëveshje dhe dua të besoj që edhe federatat që për çfarëdo arsye nuk janë në linjë me ciklin olimpik, do ta kuptojnë rëndësinë dhe benifitet nga respektimi i ciklit olimpik. Të njëjtën pritshmëri e kanë edhe klubet”, deklaroi fillimisht Hasani.

Ai gjithashtu ka konfirmuar mbajtjen e Asamblesë Zgjedhore në fund të muajit mars në KOK.

“Sipas vendimit të fundit të Asamblesë së KOK, e mbajtur më 21 dhjetor të vitit 2018, Kuvendet e Punës dhe ato zgjedhore duhet të mbahen gjatë muajit shkurt dhe pjesës së parë të muajit mars, në mënyrë që KOK të mbajë Asambletë e Punës dhe Asamblenë Zgjedhore deri në fund të muajit mars”, ka përfunduar Hasani.

Klubet rrezikohen nga humbja e investimeve Moslicencimi i federatave do të ishte një humbje katastrofale për klubet respektive. Përpos ndaljeve të të hollave nga federatat, klubet rrezikojnë të humbasin edhe subvencionimet nga komunat përkatëse, pasi që në një rast të tillë edhe ato do të jenë të detyruar t’i ndalin fondet për klubet që u takojnë federatave që nuk janë licencuar.

Një rast konkret është Federata e Futbollit e Kosovës, e cila nuk ka mbajtur asnjë Kuvend të Punës nga ai për vitin 2018 dhe nuk ka ftuar klubet për asnjë Kuvend Zgjedhor, ani pse statuti i saj është i rregulluar me cikël olimpik. (Neni 4, pika 1).

FFK për një cikël olimpik merr mbi 1 milion euro dhe në rast të ndonjë penalizimi të mundshëm mund të humbas edhe mundësinë për t’u përkrahur në projekte kapitale, pasi që siç dihet rreth 70 përqind të investimeve kapitale të Ministrisë së Sportit shkojnë zakonisht në futboll.

Ligji i Sportit i Republikës së Kosovës është mjaft i qartë. “Po që se vendimet e federatave të sportit janë në kundërshtim të hapur me aktet normative të tyre dhe me këtë Ligj, atëherë organet përfaqësuese dhe personat përgjegjës, dalin para organeve kompetente të drejtësisë, të cilat mund ta anulojnë zbatimin e vendimeve dhe të marrin masa përkatëse ndaj personave udhëheqës”, thuhet në pikën 30.4 të nenit 30 të Ligjit të Sportit.

FBK: Nuk kemi provuar ndjenjën e ikjes së përgjegjësisë

Elvira Dushku, sekretare në Federatën e Basketbollit të Kosovës

Federata e Basketbollit e Kosovës është njëra nga federatat e para në vend që ka mbajtur kuvendin zgjedhor sipas ciklit olimpik 2021-2024. FBK ka mbajtur Kuendin e Rregullt Zgjedhor më 18 dhjetor të vitit 2020, me ç’rast Arben Fetahu pa ndonjë kundër kandidat u konfirmua edhe për një mandat të radhës.

Sekretarja e FBK-së, Elvira Dushku, ka theksuar për Gazetën “Sheshi” se FBK ka zbatuar në përpikëmëri të gjitha aktet normative të federatës, për të cilat tashmë ka raportuar edhe në MKRS dhe KOK.

“FBK e ka statutin e saj të cilin e respekton në tërësi dhe në bazë të të cilit organizohet çdo katër vjet (cikël olimpik). Ne kemi pranuar një qarkore nga MKRS dhe në bazë të saj kemi kërkuar nga klubet tona që deri në fund të nëntorit t’i organizojnë kuvendet e tyre zgjedhore, në mënyrë që më pas ne ta organizojmë Kuvendin e Rregullt Zgjedhor. Ashtu edhe ka ndodhur, me ç’rast kemi dërguar edhe ftesa te zyrtarët e MKRS-së dhe KOK, të cilët e kanë monitoruar nga afër kuvendin”, deklaroi Dushku.

FBK e cila e respektoi në përpikmëri qarkoren e lëshuar nga MKRS tha se nuk e kanë ndjenjën e ikjes së përgjegjësive për t’u shmangur akteve normative të federatës.

“Nuk e kemi provuar ende ndjenjën e ikjes së përgjegjësive tona që dalin nga aktet normative të Federatës”, përfundoi Dushku.

Kuvendet zgjedhore për cikël olimpik 2021-2024 i kanë mbajtur derimë tani Federata e Basketbollit, e Mundjes dhe Sportit shkollor. Në pritje të mbajtjes së kuvendit janë edhe një pjesë e madhe e federatave sportive. Më pas KOK do të mbajë fillimisht Kuvendin e Punës për vitin 2020 dhe të zgjedh BE për ciklin olimpik 2021-2024, më së voni deri më 31 mars 2021.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA -BAJGORA Lëvizja Vetëvendosje: LV-ja llogaritet favorite për…