Rashit Qalaj: Mirëqenia dhe siguria e qytetarëve, janë ndër prioritetet e PDK-së

07 shkurt 2021 | 13:57

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe njëherësh kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, është shprehur se qytetarët e Kosovës çdo ditë e më shumë po i bashkëngjiten programit për Rimëkëmbje, dhe sipas tij, fitorja e PDK-së është e pashmangshme në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Qalaj në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, zotohet se kërkesat e qytetarëve do të trajtohen me seriozitet në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka theksuar angazhimin e parezervë për ofrimin e një sigurie më të madhe me një ushtri më fortë dhe një polici efikase.

“Epoka e re”: E kaluara e juaj është e njohur për publikun, pasi që në periudha të rëndësishme për Kosovën ju keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas si pjesëtar dhe drejtues i institucionit të sigurisë, Policisë së Kosovës. Fillimisht na tregoni si e kanë pritur qytetarët inkuadrimin e juaj në politikë?
Rashit Qalaj: Të them të drejtën kam vërejtur mendime të ndryshme. Disa nga qytetarët të cilët më kanë kontaktuar kanë shprehur keqardhje për faktin që kam dhënë dorëheqje nga policia, pasi që ata mendojnë që unë kam udhëhequr policinë në mënyrë shumë të suksesshme dhe se është dashur që unë të luftoj nga brenda sistemit dhe të pres vendimin e gjykatës, në mënyrë që të kthehem në pozitën e drejtorit. Ndërsa, pjesa tjetër mendojnë që kam vepruar drejt dhe në momentin e duhur, dhe se ata janë të bindur që nga politika mund të kem më shumë mundësi që të veproj dhe të ndihmoj institucionet e sigurisë, duke ndaluar degradimin e tyre, të sjelli ligjshmërinë në emërimin e drejtuesve, sidomos në polici. Dhe, po ashtu t’i bëjmë këto institucione më të pavarura dhe më efikase në ofrimin e shërbimeve të tyre për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Epoka e re”: Gjatë këtyre ditëve keni pasur rastin të takoheni me qytetarë të shumtë nga vende të ndryshme të Kosovës, cilat janë kërkesat më të shpeshta të tyre e që lidhen me prioritetet e juaja për të cilat edhe i keni hy këtij rrugëtimi politik?
Rashit Qalaj: Po, është e vërtetë që jam duke kontaktuar e takuar shumë qytetarë pasi që është edhe fushatë zgjedhore dhe të gjithë ata kërkojnë që deputeti i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës të jetë zëri i tyre, që të jemi aktiv dhe shumë të kujdesshëm kur të vije momenti i votimit të ligjeve, që këto ligje të jenë konform kërkesave dhe nevojave të qytetarëve dhe të vendit dhe të mos votohen ligje sipas nevojave private të ndonjë politikani apo ndonjë partie politike. Po ashtu kërkesë e tyre është që unë të kujdesem dhe të angazhohem shumë për institucionet e sigurisë.

“Epoka e re”: A mendoni që profesioni që keni ushtruar deri më tani si polic dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, iu ka ndihmuar për t’i njohur dhe për t’ju qasur më lehtë divergjencave në politikë dhe jo vetëm?
Rashit Qalaj: Pa dyshim që më ka ndihmuar pasi që kam pasur rastin që nga jashtë të analizoj këto divergjenca e që sipas mendimit tim nuk kanë të bëjnë aq shumë me nevojat e qytetarëve mirëpo, në të shumtën e rasteve këto divergjenca janë çështje ideologjish apo çështje liderësh.

“Epoka e re”: Në momentin që iu keni bashkuar politikës, tek qytetarët keni reflektuar si një politikan që nuk keni apetite personale në politikë, por si një politikan i cili keni shprehur vullnet për të çuar tutje kauza që janë në favor të vendit. Sa iu bënë përgjegjës një vlerësim i tillë?
Rashit Qalaj: Mendoj që inkuadrimi im në politikë është duke u vlerësuar shumë nga qytetarët dhe ky vlerësim më bën përgjegjës pasi që do të angazhohem me tërë qenien time të shtyj përpara në Kuvend kauza që janë në favor të vendit, në favor të qytetarit që gjithmonë do ta kem në plan të parë qytetarin e Kosovës dhe nevojat e tyre. Dhe, po ashtu do të jem gjithmonë i gatshëm që të jap llogari para votuesve të mijë dhe qytetarëve të Kosovës për aktivitetin tim nga pozicioni i deputetit të Kuvendit të Kosovës. Në këtë fushatë elektorale, në çdo tubim me qytetarët, jam duke premtuar llogaridhënie dhe takime me ta në mënyrë të rregullt.

“Epoka e re”: Cili është apo cili do të jetë relacioni i juaj me Policinë e Kosovës, meqenëse keni dhënë kontribut të parezervë në këtë institucion për gati 21 vite?
Rashit Qalaj: Unë, pavarësisht faktit se zyrtarisht më nuk jam pjesë e Policisë së Kosovës unë gjithmonë në zemrën time do të mbetem polic dhe do të jem zëri i tyre kudo dhe kurdo që është e nevojshme.
Prioritetet e mija lidhen me Policinë e Kosovës, me zjarrfikësit dhe me Agjencionin e Menaxhimit Emergjent, me IPK-në si dhe me Agjencionin e Regjistrimit Civil. Ku, këto prioritete do t’i specifikoja në: 1. Policia ka nevojë urgjente për ligjin e pensionimit të parakoheshëm, për sigurime shëndetësore dhe jetësore, për një proces të vetingut, të vazhdohet me projektin e BE-së për reforma në polici. Policia ka nevojë për buxhet shtesë, t’u ngritën pagat, të forcohet dhe të avancohet Task-Forca antikorrupsion, të shqyrtohet statusi i stafit civil në Policinë e Kosovës etj. 2. Zjarrfikësve t’u rregullohet statusi i tyre, t’u shtohet buxheti, t’u ngritën pagat, urgjentisht t’u blihen pajisje te reja, t’u krijohen kushte më të mira të punës, t’u përmirësohet infrastruktura e sidomos t’iu sigurojmë makina të reja për shuarjen e zjarrit. 3. AME-ja të përforcohet me personel, të ngritën kapacitetet në saje të veprimit, të krijohet një brigadë e në kuadër të saj të kemi njësitë përkatëse të trajnuara dhe të pajisura mirë për reagim emergjent qoftë nga fatkeqësitë e shkaktuara nga natyra apo dora e njeriut. Të krijohet një fond i konsiderueshëm për raste të reagimit emergjent. 4. IPK-ja ka nevojë për ligj të parakohshëm të pensionimit, për një proces të mirëfilltë të vetingut, të rishqyrtohen dhe hetohen proceset e kompromituara të punësimit, t’u ngritët buxheti, të kenë pajisje më të sofistikuar për hetime. 5. Agjensioni i Regjistrimit Civil nuk guxon që të ketë pengesa siç ka pasur deri më tani në ofrimin e shërbimeve për qytetarë, si nxjerrja e dokumenteve të identifikimit dhe dokumenteve të udhëtimit apo të regjistrimit të veturave. Shumë shërbime duhet që të kalojnë online, ka nevojë për infrastrukturë shtesë, buxhet shtesë etj.

“Epoka e re”: Tanimë zyrtarisht jeni kandidat për deputet në Parlamentin e Kosovës, cili është mesazhi i juaj për qytetarët e Kosovës?
Rashit Qalaj: Me Partinë Demokratike të Kosovës qytetarëve të Kosovës, do t’iu sigurohet rimëkëmbja ekonomike, do të ngritët mirëqenia, do të këtë arsim më të mirë dhe më cilësor, do të këtë shëndetësi më të mirë, sistem të drejtësisë me efikas, do të ketë siguri më të madhe me një Ushtri më të fortë dhe Polici me efikase në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Gjithashtu, do të ketë avancim të sportit, kulturës e artit. Pra, do të kemi një rimëkëmbje të gjithëmbarshme.

(Intervistoi: Mihane Hoxha)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, është shprehur se…