INTERVISTË me Serge Métais: BE-ja është mashtruar nga një operacion manipulimi dhe ndikimi i shërbimeve sekrete ruse
– Manipulimi i shërbimeve sekrete ruse, – manipulimi i pandershëm me librin e Carla Del Pontes, shfrytëzimi i dobësive të Dick Martyt, ngritja e Gjykatës Speciale dhe në fund përpjekja ruse për ta vrarë Martyn, por duke u dukur si operacion serb
Serge MÉTAIS: “Ajo që kam shprehur është një qëndrim politik. Ai u drejtohet udhëheqësve evropianë. U bëj thirrje të marrin vendimin për ta rivendosur procesin e apelit, e bashkë me të edhe Gjykatën Speciale, në Prishtinë, duke pasur parasysh se Bashkimi Evropian është mashtruar nga një operacion manipulimi dhe ndikimi i shërbimeve sekrete ruse. Ky vendim do të kishte domethënie të veçantë në kontekstin e sotëm të ashpërsimit të luftës hibride që Rusia e Putinit zhvillon kundër Evropës dhe të luftës së tmerrshme që ajo po zhvillon në Ukrainë, me krime të përditshme lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

SERGE MÉTAIS (1952) është ekonomist, studiues i historisë dhe publicist francez, ish-pedagog universitar, i njohur për studimet mbi sistemet komuniste të Evropës Lindore, historinë e shqiptarëve dhe zhvillimet gjeopolitike në hapësirën postsovjetike.
Në vitin 2006, shtëpia botuese prestigjioze franceze Fayard botoi veprën e tij madhore, Histoire des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo (Historia e shqiptarëve. Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës
Në publicistikën e tij më të re, ai ka analizuar politikat e Vladimir Putinit, luftën në Ukrainë, veprimtarinë e shërbimeve të inteligjencës dhe zhvillimet politike e juridike lidhur me Kosovën.
Botime akademike:
– 1982: Pologne: de la faillite d’une politique économique à la remise en cause du système – studim mbi krizën polake.
– 1992: La débâcle de l’expérience soviétique – analizë e shpërbërjes së sistemit sovjetik.
– 1993: Les erreurs du socialisme selon Hayek – studim mbi kritikën ekonomike të socializmit.
– 1993: Méthodes quantitatives appliquées à la gestion – libër universitar mbi metodat sasiore në menaxhim.
– 2006: Histoire des Albanais – monografi historike mbi shqiptarët.
“EPOKA E RE” /Intervista e plotë:
Rusët donin të komprometonin pavarësinë e Kosovës dhe Perëndimin
“EPOKA E RE”: Kohët e fundit keni botuar një analizë të shkëlqyer në të cilën tregoni se Gjykata Speciale për Kosovën (Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të zhvendosura në Hagë) ishte produkt i një manipulimi të suksesshëm të shërbimeve sekrete ruse. A mund të na thoni, së pari, në çfarë rrethanash nisi ky manipulim dhe në çfarë konsistonte ai fillimisht?
Serge MÉTAIS: Manipulimi i shërbimeve sekrete ruse nisi pothuajse menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai drejtohej kundër evropianëve, të cilët asokohe ishin thellësisht të përçarë për njohjen e kësaj pavarësie. Ky manipulim shfaqet si pararendës i luftës hibride që Rusia e Putinit zhvillon sot kundër Evropës. Synimi i tij ishte që evropianët të mbeteshin të përçarë për një kohë të gjatë rreth njohjes së Kosovës, përmes hartimit të një raporti që do të mbante vulën “Këshill i Evropës” dhe do t’i dënonte moralisht përgjegjësit më të lartë të shtetit të ri.
Formalisht, manipulimi nisi me paraqitjen e një mocioni nga një parlamentar rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në prill të vitit 2008, vetëm dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mocioni i referohej kujtimeve të ish-kryeprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, të cilat sapo ishin botuar. Në librin e saj, ajo i rikthehej një çështjeje të trafikimit të organeve njerëzore në fund të vitit 1999 dhe gjatë vitit 2000. Sipas këtyre pretendimeve, organet u ishin marrë të burgosurve serbë që vazhdonin të mbaheshin robër nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sipas pretendimeve, ata ishin ekzekutuar në një “shtëpi të verdhë”, në Burrel të Shqipërisë, për të furnizuar një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të organeve njerëzore përmes aeroportit të Tiranës. Del Ponte thoshte se në vitin 2003 ajo kishte urdhëruar zhvillimin e hetimeve në terren, por nuk kishte gjetur asgjë bindëse. Mocioni i parlamentarit rus u referohej deklarimeve të ish-prokurores, por në mënyrë të pandershme, sikur ajo të kishte zbuluar fakte në librin e saj. Aty ku ajo paraqiste hipoteza, duke thënë “sipas burimeve tona”, mocioni i parlamentarit rus i paraqiste ato si fakte të vërtetuara “sipas Carla Del Pontes”. Duke u shprehur i shqetësuar nga natyra e neveritshme e asaj që, sipas tij, kishte zbuluar Carla Del Ponte, parlamentari rus i kërkonte Këshillit të Evropës të hetonte “trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë”.
Pikërisht mbi bazën e këtij mocioni, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës caktoi njërin prej anëtarëve të saj, senatorin zviceran Dick Marty, ish-prokuror, të kryente një hetim dhe të hartonte një raport. Duhet thënë se Dick Marty nuk ishte i panjohur për shërbimet sekrete ruse. Në të kaluarën, ai kishte treguar “mungesë të karakterit të fortë dhe gatishmëri për të përkulur kurrizin” si dhe prirje për të bashkëpunuar me to. Kishte hartuar një raport për “burgjet sekrete të CIA-s në Evropë”, ku tregonte se xhihadistë, gjatë ndalesave më të shkurtra ose më të gjata në rrugën drejt Guantanamos, ishin mbajtur të ndaluar në Rumani, Poloni ose Lituani. Kjo krijonte mundësinë që, për shkak të shkeljes së “respektimit të të drejtave të njeriut”, të viheshin në pozitë të vështirë vende që sapo ishin anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe që kishin mbajtur qëndrim armiqësor ndaj Rusisë së Putinit.
Rasti “MEDIKUS” ishte një hile ruse për të dëshmuar vazhdimësinë e trafikimit të organeve njerëzore në Kosovë
“EPOKA E RE”: Një nga pikat e rëndësishme të analizës suaj është se rasti i klinikës MEDICUS në Prishtinë përbën një pjesë qendrore të manipulimit të shërbimeve sekrete ruse. Ju thoni se ai ishte konceptuar dhe planifikuar para vitit 2008. Në çka e mbështeteni konstatimin e tillë?
Serge MÉTAIS: Fare thjesht. Mbështetem në aktakuzën e prokurorit special të Misionit EULEX, Jonathan Ratel, i cili drejtoi hetimet për rastin Medicus. Ai vërtetoi se organizata kriminale që qëndronte pas kësaj çështjeje drejtohej nga dy turko-izraelitë, kirurgu Yusuf Sönmez dhe Moshe Harel, dhe se qendrën e kishte jashtë Kosovës, diku ndërmjet Stambollit dhe Tel Avivit, prej nga organizohej gjithçka. Hetimi tregoi se viktimat e identifikuara, të cilave u ishte hequr një veshkë në klinikën Medicus, ashtu si edhe personat të cilëve u ishte transplantuar ajo veshkë, ishin të gjithë të huaj për Kosovën.
Të gjithë kishin ardhur posaçërisht nga jashtë në Prishtinë, për ndërhyrjen kirurgjike. Hetimi vërtetoi gjithashtu se heqjet dhe transplantimet e veshkave në klinikën Medicus ishin kryer nga marsi deri në fillim të nëntorit 2008. Në të vërtetë, për organizatën kriminale, klinika Medicus në Prishtinë kishte qenë vetëm njëra prej disa platformave. Madje për një periudhë të shkurtër. Po citoj prokurorin Jonathan Ratel: “Medicus ishte njëra prej klinikave të një rrjeti ku vepronin Sönmez, Harel dhe të tjerët” […] Kemi gjetur klinika në Azerbajxhan dhe në vende të tjera dhe mendojmë se mund të ketë një të tillë edhe në Afrikën e Jugut”.
Ideja se organizata kriminale e Yusuf Sönmezit dhe Moshe Harelit kishte lidhje me shërbimet sekrete ruse imponohet vetvetiu. Ajo do t’i ishte përgjigjur një “porosie” të tyre. Qëllimi ishte të organizohej një provokim, duke përdorur klinikën Medicus për të dëshmuar vazhdimësinë e trafikimit të organeve njerëzore në Kosovë. Ndër treguesit e një provokimi rus duhet vërejtur se shumica e viktimave të identifikuara, të cilave u ishte hequr një veshkë në klinikën “Medicus”, vinin nga vende të ish-Bashkimit Sovjetik. Kjo tregon se shërbimet sekrete ruse nuk mund të mos i dinin degëzimet e rrjetit kriminal në zonën e tyre tradicionale të ndikimit. Ka arsye të forta për të menduar se ato kishin lidhje me këtë rrjet. Natyrisht, ndryshe nga shumica e vendeve prej nga vinin dëshmitarët e identifikuar (viktima të heqjes së veshkës ose përfitues të transplantimit), Rusia nuk bashkëpunoi me hetimin e prokurorit Ratel për marrjen e tyre në pyetje.
Në fund, del se veprimtaria kriminale e klinikës “Medicus” ishte veprimtari e kohëve të fundit. Ajo nisi vetëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nuk ka asnjë provë të vazhdimësisë së saj me trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore pas luftës, në vitet 1999–2000. Dick Marty i shpërfilli këto përfundime të hetimit të prokurorit special të Misionit EULEX, Jonathan Ratel. Janë të kuptueshme arsyet e një shpërfilljeje të tillë: rasti Medicus u jepte një besueshmëri të jashtëzakonshme rrëfimeve për “trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë” në fund të viteve 1999 – 2000. Për më tepër, ai sugjeronte një vazhdimësi. Drejtuesit e UÇK-së, që sipas pretendimeve kishin organizuar trafikimin pas luftës, ishin atëherë në pushtet në Prishtinë. Sipas këtij pretendimi, ata qëndronin edhe pas veprimtarisë kriminale të klinikës Medicus.
Dick Marty, sipas një shprehjeje të Leninit, ishte për rusët një “idiot i dobishëm”
“EPOKA E RE”: Keni shkruar se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ishte, për shërbimet sekrete ruse, një “bazë e jashtëzakonshme për lëshimin e disa prej operacioneve të tyre të dezinformimit”. Pamë se operacioni i nisur me mocionin e parlamentarit rus, Konstantin Kosachev, u kurorëzua me sukses: Raporti Marty u miratua në fillim të vitit 2011 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me një shumicë dërrmuese. Për të shpjeguar suksesin e një operacioni të tillë, shërbimeve sekrete ruse u duhej të kishin në dispozicion, siç thoni, një “idiot të dobishëm”. Fillimisht, a mund të saktësoni çfarë do të thotë kjo në rastin e Dick Martyt?
Serge MÉTAIS: Kam shkruar se Dick Marty ishte ai që, sipas një tradite shprehjeje që zakonisht i atribuohet Leninit, e quajmë “idiot i dobishëm”. Është e rëndësishme të kuptohet çfarë nënkupton kjo në rastin konkret.
Së pari duhet saktësuar se një “idiot i dobishëm” nuk është “agjent”. Një agjent i shërbimeve sekrete ruse në kohën e Putinit, ashtu si një agjent i shërbimeve sekrete serbe në kohën e Millosheviqit, nuk është njeri i lirë. Ai është “i shtrënguar”. Për arsye të ndryshme, e ka humbur lirinë e veprimit. Mund të ketë dhënë betimin se do t’u bindet urdhrave (siç ndodh me një agjent profesionist). Por, kjo nuk është e domosdoshme. Thjesht, ai ka mundur të jetë i shtrënguar, për arsye se këto shërbime do të posedonin mjete të ndryshme presioni ndaj tij, për ta detyruar të veprojë në rrethana të caktuara. Ato mund të kenë mjete ta shtinë “të këndojë” (për shembull, duke zbuluar çështje komprometuese që lidhen me të).
Ndryshe nga “agjenti”, një “idiot i dobishëm” është njeri i lirë. Shpreh ndjenja të mira dhe është i lidhur me vlerat universale të qytetërimit. Beson se vepron sipas vullnetit të vet. Në të vërtetë, ai është i manipuluar. Ka dobësi psikologjike, përgjithësisht të lidhura me egon dhe nevojën për t’iu njohur meritat. Pikërisht këto dobësi i shfrytëzojnë ata që e manipulojnë. Mua më duket se Dick Marty i përshtatet plotësisht këtij përkufizimi. Ai ishte i përkushtuar ndaj respektimit të të drejtave të njeriut. Luftonte organizatat mafioze. Në parim, gjithçka duhej ta vinte në kundërshtim me regjimin e Putinit. Por, për arsye të pashpjegueshme, ai mendonte se mund të bashkëpunonte me agjentët rusë të ndikimit për të arritur qëllimet e veta. Ishte i bindur për fajësinë e kosovarëve në trafikimin e organeve. U besonte asaj që thoshin burime të shumta pseudogazetareske, të ushqyera me informacione nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse.
Sa u përket dobësive psikologjike që shfrytëzonin ata që e manipulonin, mund vetëm të hamendësohet. Nga dëshmi të ndryshme të vëzhguesve që e njihnin mirë, del në pah nevoja e tij për njohje dhe famë. Po ashtu, edhe zilia. Thuhet se e kishte zili Carla Del Ponten. Ashtu si ajo, vinte nga Tiçinoja. Ashtu si ajo, kishte bërë karrierë si prokuror. Karriera e Carla Del Pontes ishte e shkëlqyer. Ajo kishte drejtuar Prokurorinë Federale të Zvicrës. Kishte luajtur rol qendror në hetimin për Mabetexin (kompania e Behgjet Pacollit, me seli në Lugano të Tiçinos), që kishte rinovuar Kremlinin. Ajo kishte zbuluar se komisione të fshehta ishin derdhur në llogari në Bankën e Gotthardit, të lidhura me karta krediti në emër të vajzave të Boris Jelcinit. Më pas, në gusht 1999, Carla Del Ponte ishte emëruar në krye të Prokurorisë së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ajo kishte goditur Millosheviqin, Mlladiqin dhe Karaxhiqin. Qëndroi në krye të Prokurorisë së këtij tribunali deri në fund të vitit 2007. Në vitin 2008, kur Dick Marty u caktua nga Komisioni për Çështje Juridike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të kryente një hetim mbi bazën e mocionit të Kosachevit, ai, sipas kësaj hipoteze, donte të tregonte se Carla Del Ponte nuk vlente asgjë. Ajo nuk kishte qenë në gjendje të provonte fajësinë e drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai, përkundrazi, do të mund ta bënte këtë. Ishte njeriu i përkryer për t’u instrumentalizuar nga shërbimet sekrete ruse.
Ja pse “idiotin e dobishëm” Dick Martyn nuk e lejuan rusët që të merrej në pyetje nga Clint Williamson
“EPOKA E RE”: Raporti Marty nuk ishte as aktakuzë e një prokurori, as vendim i dhënë nga një gjykatë. Ishte vetëm një raport politik, që synonte të fitonte mbështetjen e publikut duke luajtur me emocionet e shkaktuara nga pretendime që nuk mbështeteshin në asnjë provë. Fatkeqësia ishte se mbante autoritetin e një dokumenti me vulën e “Këshillit të Evropës”, një institucioni të krijuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Evropë. Në këtë kuptim, ishte thellësisht i pandershëm. Por, pikërisht kjo ia jepte edhe fuqinë. Pasi u miratua nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Bashkimi Evropian dhe amerikanët nuk mund të mos reagonin. Manipulimi i shërbimeve sekrete ruse, siç shkruani, kishte pasur sukses të plotë. Madje, kishte shkuar përtej asaj që pritej, me krijimin e Task Forcës e më pas të Gjykatës Speciale. A mund të shpjegoni si e menaxhuan shërbimet sekrete ruse “idiotin e dobishëm” të tyre për të arritur këto rezultate?
Serge MÉTAIS: Task Forca, e krijuar në fund të vitit 2011, duhej të hetonte pretendimet e Raportit Marty për “trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë”. Ajo drejtohej nga prokurori amerikan Clint Williamson. Që nga ai çast, shqetësimi kryesor i shërbimeve sekrete ruse ishte të shmangnin paraqitjen e Dick Martyt para prokurorit. Detyra e Task Forcës ishte të verifikonte përmbajtjen e Raportit Marty, besueshmërinë e burimeve të tij dhe identitetin e personave që mund të dëshmonin. Bashkëpunimi i autorit të raportit ishte i domosdoshëm. Shërbimet sekrete ruse duhej ta pengonin me çdo kusht këtë bashkëpunim.
Po të ishte thirrur Dick Marty para prokurorit Williamson, do t’i duhej të pranonte se nuk kishte gjetur asnjë dëshmitar dhe se nuk kishte asnjë mundësi kontrolli mbi “burimet” që e kishin informuar për “qendrën e internimit të të burgosurve serbë” dhe “klinikën” në Fushë-Krujë, për të cilat askush nuk kishte dëgjuar para botimit të raportit të tij.
Pikërisht në Këshillin e Evropës rusët ngritën, së pari, pengesën për të shmangur paraqitjen e Dick Martyt para Task Forcës. Si raportues, ai gëzonte imunitet sipas “Marrëveshjes për Privilegjet dhe Imunitetet e Këshillit të Evropës” (nenet 14 dhe 15). Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, në atë kohë norvegjezi Thorbjørn Jagland, do të mund t’ia hiqte këtë imunitet. Por rusët ditën t’ia kujtonin se ishte zgjedhur në vitin 2009 me mbështetjen e tyre, përballë polakut Włodzimierz Cimoszewicz, që konsiderohej tepër atlantist. Si përfundim, u ruajt imuniteti i Dick Martyt. Dhe pa heqjen e imunitetit, nuk ekzistonte asnjë mundësi ligjore për ta detyruar Dick Martyn të paraqitej para Task Forcës.
Pamundësia për ta detyruar Dick Martyn të paraqitej është një pikë kyçe për të shpjeguar përse u krijua Gjykata Speciale. Po të ishte paraqitur Dick Marty para Task Forcës, do t’i duhej t’i nxirrte të gjitha në shesh dhe Gjykata Speciale nuk do të ishte krijuar kurrë. Pikërisht sepse Dick Marty nuk u paraqit para Task Forcës, në vitin 2015 u vlerësua se nevojitej një kuadër i ri – Gjykata Speciale – për të vazhduar hetimin për “trafikimin e organeve njerëzore”, për të cilin ende nuk kishte asnjë provë.
Gjykata Speciale u shfaq si jolegjitime kur bëri publike aktakuzën, më 4 nëntor 2020. Hetimi gjyqësor, në fund, nuk kishte arritur të siguronte asgjë mbi të cilën të mbështetej një akuzë për krime të rënda si ato të përmendura në Raportin Marty. Aktakuza nuk përmbante asgjë për heqjen e pretenduar të organeve njerëzore nga të burgosurit serbë. Që prej atij çasti ishte e qartë se Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar dhe të paraburgosur në Hagë, do të gjykoheshin për krime që nuk kishin asnjë lidhje me ato për të cilat supozohej se ishte krijuar gjykata.
Për shërbimet sekrete ruse, Dick Marty ishte bërë i padobishëm. Ata kishin interes ta vrisnin
“EPOKA E RE”: Në dhjetor 2020, Prokuroria zvicerane njoftoi se Dick Martyt i kanosej rreziku i vrasjes. Rreziku atëherë vlerësohej në shkallën maksimale: “5 nga 5”. Autoritetet ishin informuar nga burime që i kishin vlerësuar si të besueshme se ishte planifikuar vrasja e Dick Martyt. Sipas tyre, atentati ishte vendosur “me urdhër të shërbimeve sekrete serbe” dhe synimi ishte “të shfrytëzohej vëmendja e shtypit lidhur me ngritjen e aktakuzës kundër Hashim Thaçit”, në mënyrë që vrasja t’u mvishej shqiptarëve yë Kosovës. Që atëherë Dick Marty u vendos nën masa jashtëzakonisht të larta sigurie: policët qëndronin në shtëpinë e tij 24 orë në ditë. Kjo mbrojtje vazhdoi deri në vdekjen e tij, më 28 dhjetor 2023, në moshën 78-vjeçare, sipas disa mediave si pasojë e një “kanceri me ecuri të rrufeshme”. Si i interpretoni këto ngjarje? Çfarë mendoni për rolin që u është atribuuar “shërbimeve sekrete serbe”?
Serge MÉTAIS: Nuk kam asnjë arsye të dyshoj se autoritetet zvicerane kishin marrë informacione shumë konkrete për natyrën e kërcënimit ndaj jetës së Dick Martyt në dhjetor 2020. Në kontekstin e asaj kohe, e konsideroj shumë të besueshme ekzistencën e një plani për vrasjen e tij.
Shërbimet sekrete ruse, siç pamë, e kishin menaxhuar në mënyrë të përkryer “idiotin e dobishëm” të tyre që nga krijimi i Task Forcës e më pas i Gjykatës Speciale. Dick Marty nuk kishte mundur të thirrej. Kishte qëndruar i heshtur. Dhe gjithçka kishte funksionuar ashtu siç duhej.
Aktakuza kundër ish-drejtuesve të UÇK-së ishte bërë publike në nëntor. Dihej se do të duheshin edhe disa vjet që Gjykata Speciale të arrinte te shpallja e aktgjykimit. Për shërbimet sekrete ruse, Dick Marty ishte bërë i padobishëm. Njëkohësisht, mund të shndërrohej në problem. Mund të nxitej të fliste publikisht, në një formë ose në një tjetër. Ndoshta madje do të tundohej të bënte rrëfime. Është e lehtë të përfytyrohet se, për shërbimet sekrete ruse, kishte ardhur koha ta hiqnin qafe. Me zhdukjen e tij do të arrinin dy qëllime njëherësh: do të hiqnin qafe një “idiot” tashmë të padobishëm, që rrezikonte të fliste, dhe do ta paraqisnin vrasjen si vepër të qeverisë së Kosovës, për ta diskredituar atë në arenën ndërkombëtare.
Në analizën time rreth projektit të atentatit kundër Dick Martyt (në dhjetor të vitit 2020), ka pak vend për një operacion të “shërbimeve sekrete serbe”. Nuk e përjashtoj, por e konsideroj pak të mundshme. Vetë Dick Marty do të deklaronte në Radiotelevizionin Zviceran, në vitin 2022: “Shërbimet serbe i kërkuan botës së krimit të më likuidonte, thjesht që faji t’u binte kosovarëve”. Këtë nuk e shoh si një provë të përfshirjes së shërbimeve sekrete serbe, por, përkundrazi, si një informatë e rrejshme që vjen nga agjentët e shërbimeve sekrete ruse, të cilëve ai u besonte. Me sa duket, as zbulimi nga shërbimet zvicerane i “vrasësve që kanë ardhur nga Nishi” nuk është provë. Shërbimet sekrete ruse kishin interes të rekrutonin vrasës serbë për një operacion të këtij lloji. Në këtë mënyrë, nëse do të arrestoheshin, “pistës serbe” do t’i jepej përparësi. Si konkluzion, mua më duket e vërtetë që shërbimet sekrete ruse përhapën thashethemet për një operacion serb, për t’i ngatërruar më mirë gjurmët.
Ajo që del në pah është se atentati i planifikuar në fund të vitit 2020 u pengua falë masave mbrojtëse të ndërmarra nga shërbimet zvicerane të sigurisë. Sa i përket pyetjes se nga çfarë vdiq vërtet Dick Marty, tre vjet më vonë, kjo është një çështje tjetër. Le të themi se ishte një vdekje që erdhi në një çast të volitshëm. Sot do të ishte shumë e dobishme të mund të merrej në pyetje, në një kontekst të ashpërsimit të luftës hibride që Rusia zhvillon kundër Evropës.
Do të ishte normale që Gjykata Speciale, duke funksionuar mbi bazën e ligjit të ndryshuar, të zhvendosej në Prishtinë
“EPOKA E RE”: Të kalojmë tani te çështja e së ardhmes së Gjykatës Speciale. Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u ndryshua nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor. Në artikullin e 1 tetorit ju u shprehët në favor të “rivendosjes” së procesit të apelit në Prishtinë. Si e shihni lidhjen ndërmjet këtij qëndrimi dhe ndryshimit të ligjit të miratuar nga Kuvendi?
Serge MÉTAIS: Dëshiroj të them, së pari, se e mbështes vendimin që sapo ka marrë Kuvendi i Kosovës. Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u miratua nga Kuvendi i Kosovës në gusht 2015 (Ligji nr. 05/L-053 – neni 162 i Kushtetutës). Ndryshimi i këtij ligji nga Kuvendi i Kosovës, më 6 tetor 2026, është plotësisht legjitim. Ligji ishte miratuar në vitin 2015 nën trysninë miqësore të udhëheqësve evropianë dhe amerikanë, në një kontekst kur duhej të vazhdohej hetimi i pretendimeve të Raportit Marty. Vazhdimi dihet. Asgjë nga trafikimi i pretenduar i organeve njerëzore nuk mundi të përfshihej në aktakuzën e bërë publike në nëntor 2020. Ligji i shfaqi pasojat e tij të mbrapshta në aktgjykimin e padrejtë të 16 shtatorit 2026. Ishte krejtësisht normale që ai të ndryshohej. Gjykata Speciale nuk është shfuqizuar. Tani asaj do t’i duhet të funksionojë mbi baza të reja.
Ndryshimet në ligj kanë pasoja të rëndësishme, të cilat bëjnë që procesi i apelit të duhet ta rishqyrtojë të gjithë procedurën. Për të kuptuar përmasat e punës që i pret gjyqtarët, mjafton të përmendet se ndryshimet e miratuara më 6 tetor synojnë ta lidhin më drejtpërdrejt juridiksionin e gjykatës me trafikimin e organeve njerëzore dhe se periudha kohore e ndjekjes penale, e cila shtrihej nga janari 1998 deri në dhjetor 2000, kufizohet tani në periudhën nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000. Vetëm mbi bazën e këtyre dy pikave – juridiksionit të gjykatës dhe periudhës kohore që mbulohet nga ndjekja penale – shqyrtimi i materialeve të akuzës do të duhej të çonte në një përzgjedhje të pamëshirshme. Ka shumë gjasa që, në fund, prokurorisë të mos i mbeten shumë “kokrra për të bluar” për akuzën.
Qëndrimi im në favor të “rivendosjes” së procesit të apelit në Prishtinë mbështetet në faktin se Gjykata Speciale është institucion i Kosovës, i cili është zhvendosur në Hagë për arsye sigurie (mbrojtja e dëshmitarëve), pavarësie dhe financimi (që mbulohet nga Bashkimi Evropian). Zhvendosja e saj tani në Prishtinë do të përbënte një «rivendosje». Këtë propozoj. Mendoj se kjo shkon në të njëjtin drejtim me vendimin e Kuvendit të Kosovës të 6 tetorit. Do të ishte normale që Gjykata Speciale, duke funksionuar mbi bazën e ligjit të ndryshuar, të zhvendosej në Prishtinë.
Ajo që kam shprehur është një qëndrim politik. Ai u drejtohet udhëheqësve evropianë. U bëj thirrje të marrin vendimin për ta rivendosur procesin e apelit, e bashkë me të edhe Gjykatën Speciale, në Prishtinë, duke pasur parasysh se Bashkimi Evropian është mashtruar nga një operacion manipulimi dhe ndikimi i shërbimeve sekrete ruse. Ky vendim do të kishte domethënie të veçantë në kontekstin e sotëm të ashpërsimit të luftës hibride që Rusia e Putinit zhvillon kundër Evropës dhe të luftës së tmerrshme që ajo po zhvillon në Ukrainë, me krime të përditshme lufte dhe krime kundër njerëzimit.
/EPOKA E RE/



