ShSKUK-ja pranon të gjithë pacientët që kanë nevojë për spitalizim
Në lidhje me shkrimet se të sëmurët me Covid në gjendje të rëndë, nuk po pranohen për spitalizim, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, sqaron se përkundër mbingarkesave me të cilat po përballen klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme, çdo i sëmurë që ka nevojë për trajtim, pranohet për spitalizim.
“Sa i përket pacientit me inicialet B.A, ai është paraqitur në Zyrën e pranimit në Klinikën Infektive, por nuk ka qenë i konfirmuar me Rt-PCR si Covid-19, përderisa klinika pranon vetëm rastet e konfirmuara me të cilat është e stërmbushur”.
“I njëjti pacient, ishte referuar në Klinikën Infektive 2, e njohur si Mjekësia Sportive, por meqë kishte probleme të rënda të natyrës kronike në mushkëri, ishte udhëzuar për pranim në Klinikën e Pulmologjisë, në të cilën është pranuar dhe po e vazhdon trajtimin”.
“Menaxhmenti i ShSKUK do të ndërmarrë masat konform legjislacionit në fuqi, ndaj kujdo që vërtetohet se nuk ka kryer detyrat e punës”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Duhet theksuar se ShSKUK-ja ka shtuar kapacitetet, duke lëshuar në punë hapësira të tjera për spitalizim, ka mobilizuar mjekë dhe infermier/e, të cilët po merren me trajtimin e pacientëve të dyshuar dhe kofirmuar me Covid.
“Edhe pas 1 viti të përballjes me Covid-19, mjekët, infermierët dhe stafi tjetër mbështetës po japin maskimumin e tyre për të trajtuar pacientët me Covid”, ka njoftuar ShSKUK-ja.



