Kusari-Lila: Dy deputetët e komuniteteve joserbe do të votojnë, i kemi 80 apo 81 vota
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se besojnë që i kanë siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentes.
Kusari-Lila ka thënë se nuk i kanë ofruar asgjë deputetit Adem Hoxha që sot të marrë pjesë në seancën ku do të votohet presidenti.
Ajo i ka komentuar edhe deklaratat e shefit të grupit parlamentar të LDK-së se tre deputetët e kësaj partie që dje s’morën pjesë në votim po kërcënohen.
“Ne duhet të japim llogari para qytetarëve të Republikës. Të karakterizohet një deklaratë e imja mendoj se është paksa e tepruar”.
“Ne shpresojmë se sot ky proces do të përmbyllet. Janë 80 apo 81 vota që do të numërohen në procesin e votimit për zgjedhjen e presidentes”, ka thënë ajo.