Zëdhënësi i Qeverisë, Borrellit: Datat zbatohen kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm

26 prill 2021 | 22:37

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se data e dhënë nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, për vazhdim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë më 11 maj nuk iu është bërë e ditur Zyrës së kryeministrit, gjë të cilën e ka cilësuar si të njëanshme.

Kryeziu në një postim në “Facebook”,  ka njoftuar se nesër kryeministri Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrat Bislim Bislimi dhe Donika Gërvalla do të qëndrojnë për vizitë në Bruksel.

“Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve. Kryeministri Kurti udhëton nesër në Bruksel, bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi dhe zëvendëskryeministren Gërvalla, për takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së dhe me kreun e qeverisë belge. Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”, ka shkruar Kryeziu.

Ndryshe, Josep Borrell ka deklaruar sot se dialogu Kosovë-Serbi pritet të vazhdojë më 11 maj në Bruksel.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ora 21:30 Kanë mbetur edhe 1502 qendra votimi në rang…