Kadri Veseli do të qëndrojë tri ditë në Kosovë
Ish-kryeparlamentari dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është duke qëndruar në Kosovë.
Veseli ka ardhur dje nga Haga ku po mbahej në paraburgim si i dyshuar për krime lufte, pasi gjendja shëndetësore e babait të tij është e rëndë.
“Reporteri.net” ka mësuar se ish-kryetari i PDK-së do të qëndrojë për tri ditë në Kosovë.
Pas tri ditësh, Veseli do të rikthehet përsëri në Hagë.
EULEX-i dhe Policia e Kosovës janë duke i asistuar zyrtarët e Dhomave të Gjykatës Speciale të cilët po e shoqërojnë Veselin.
Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara ka konfirmuar për “Reporterin” se Veseli është liruar për arsye familjare, por ka thënë se ai mbetet në paraburgim.
“Për arsye personale gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar zyrën e regjistrimit të menaxhojë një vizitë kujdestare për Kadri Veselin në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuar në këtë vizitë”, ka deklaruar Griepi.
Ndryshe, gjendja shëndetësore e babait të ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, është e rëndë, kanë bërë të ditur nga Spitali i Mitrovicës. Ai po trajtohet në Repartin e Neurologjisë në Spitalin e Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”.



