Hëna Abdullahi, violinistja e talentuar që synon skenat botërore

16 maj 2021 | 19:33

Lulëzim ETEMAJ

Hëna Abdullahi, 15-vjeçare, nga Tetova. Ky emër duhet të shënohet dhe përcillet vëmendshëm si nga profesionistët e artit muzikor ashtu dhe përcjellësit e tij. Ajo tashmë me lojën e shkëlqyeshme me violinë ia ka arritur të bindë juri të shumta profesionale. Vlerësimi me nota të larta, që ato u kanë bërë interpretimeve të Hënës, e kanë renditur atë lart, përfshirë edhe vendin e parë, qoftë në gara të karakterit vendorë, qoftë në ato ndërkombëtare.
Hëna Abdullahi violinën filloi ta mësojë që nga mosha gjashëvjeçare. Është nxënëse shembullore, e sjellshme, e edukuar mirë por, mbi të gjitha, është nxënëse punëtore e cila kërkon shumë nga vetja dhe pikërisht kjo e fundit e bën atë që të arrijë suksese në drejtimin profesional.


Kështu e vlerëson Hënën profesori i violinës, i cili ka rol kyç në suksesin e saj, Shkelzen Pajaziti.
Viti 2014: Gara shtetërore – çmimi i tretë; 2015: Gara shtetërore – çmimi i dytë; Gara ndërkombëtare në Serbi – çmimi i tretë; Gara ndërkombëtare Sergej Mihajlov – çmimi i parë, 12 maj 2021; Festivali ndërkombëtar Polyhymnia (Shkup) – çmimi i parë, më 11 maj 2021.
Këto janë çmimet shtetërore dhe ndërkombëtare që i ka fituar deri më tani violinistja e talentuar Hëna Abdullahi.
Ëndrrat dhe synimet e Hënës në fushën e profesionit shkojnë larg përtej këtyre çmimeve. Të bëhem violiniste e suksesshme dhe të arrij të interpretoj në skenat e mëdha botërore, kështu përgjigjet ajo në pyetjen e parashtruar rreth së ardhmes së saj profesionale në skenën muzikore. Ndërsa sukseset e arritura deri tani, Hëna thotë se ia dedikon familjes dhe profesorëve të saj.
Krahas marrjes pjesë në gara dhe koncerte të ndryshme, Hëna ka mbajtur në qershor të vitit 2019 në Tetovë koncertin e parë recital. Momentalisht ajo është duke u përgatitur për koncertin e dytë recital që pritet të mbahet në qershor të këtij viti po në Tetovë.


Suksese në rrugëtimin e Hëna Abdullahit drejt majave të muzikës botërore pret edhe profesori i saj Shkelzen Pajaziti. Unë si mësimdhënës i saj pres që ajo të arrijë majat më të larta të suksesit në instrumentin e violinës. Jam i sigurt që nëse vazhdon të punoj me këtë ritëm, do të na bëjë të gjithëve krenarë me rrugëtimin e saj, shprehet profesor Pajaziti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zinedine Zidane pritet të largohet nga Real Madrid në fund…