Zhdukja e policit malazez – Dyshohet se u eleminua nga trafikantët e drogës në Shkodër

01 qershor 2021 | 23:19

Shpresat për rikthimin e shefit të antidrogës së Malit të Zi, Rudolf Elezoviç janë gjithnjë e më të pakta. Ai rezulton i zhdukur që nga mbrëmja e 27 Majit diku mes fshatit Pentar dhe Reç, ndërsa do të kalonte Bunën për t’u kthyer në vendin e tij. “Më tha se do të shkonte deri në Shkodër dhe do të kthehej shpejt”, ka rrëfyer bashkëshortja e tij përpara hetuesve. Kontakti i tij i fundit është lokalizuar më 27 maj pranë kufirit. Më pas telefoni i tij ka qenë i fikur. Policia shqiptare ka nisur kërkimet në këtë zonë. Besohet se ai po udhëtonte me një varkë nëpërmjet Bunës. Në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit emri i Elezoviç nuk figuron në sistemin TIMS.

Autoritetet shqiptare me ato malazeze vijojnë kërkimet në dy anët e kufirit për të gjetur Rudolf Elezoviç. Nuk përjashtohet tashmë pista e një ngjarjeje ku janë të përfshirë grupet kriminale, ndaj hetuesit janë duke kërkuar personat që kanë pasur kontakte të ngushta me Elezoviç. Ata që janë pyetur të parët kanë qenë familjarët dhe kolegët. 54 vjecari bisedën e fundit me telefon e ka pasur me një familjar ku mësohet se i ka thënë se do të shkonte me varkë në Shkodër për një punë.

Sipas asaj që shkruajnë mediat malazeze, 54-vjeçari kishte kryer udhëtime të shumta kohët e fundit drejt Shkodrës. Policia dhe prokuroria e këtij qyteti kanë hapur hetimet pas kontakteve me homologët malazezë se 54-vjeçari u kishte thënë familjarëve se po udhëtonte drejt Shqipërisë. Shefi i antidrogës ka qenë duke hetuar një çështje të trafikut të narkotikëve në bashkëpunim me policinë e Shkodrës.

Zhdukja e tij është diskutuar edhe në parlamentin malazez ditën e sotme. Deputeti i Dejan Gjurovic pyeti Ministrin e Brendshëm Sergej Sekulović në Parlament se si është e mundur që një zyrtar i lartë të zhduket dhe ende të mos ketë asnjë të dhënë mbi të.

“Shpresoj se kjo do të jetë çështja e fundit në Mal të Zi dhe se lufta nuk do të lëvizë nga një qytet në tjetrin dhe se me miratimin e ligjit të ri do të bëni gjithçka për t’i mbajtur fëmijët tanë të sigurt. Bëni gjithçka për të sjellë paqe në Malin e Zi” tha Gjuroviç. Ministri i Brendshëm u përgjigj duke thënë se ka dijeni për rastin, për të cilin ka njohuri të caktuara operacionale që nuk mund t’i ndajë. “Shpresoj që është gjallë. Ka gjurmë të caktuara, por unë nuk mund t’i them ato tani” theksoi Sekuloviov.

Rudolf Elezoviç më herët ka pasur dhe detyrën e drejtorit të policisë së Ulqinit. Vitet e fundit ushtronte funksionin e shefit të antidrogës për Ulqinin dhe Tivarin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati Spartak Ngjela ka bërë një analizë të situatës politike…