Kurti tregon katër propozimet që ia bëri Vuçiqit sot në Bruksel
Kryeministri Albin Kurti ka folur pas takimit që pati në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai ka thënë se në këtë takim treguan qëndrimin e tyre kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme.
“Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik. Nuk u pajtuam për agjendën e dialogut të ardhshëm”, ka thënë Kurti.
Ai ka treguar se ka bëra katër propozime në këtë takim. “1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në. 2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”.
“3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. 4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se: “Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, ka thënë Kurti.



