Krejt çfarë ndodhi sot në veri të Kosovës

13 tetor 2021 | 14:27

Gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe tetë persona janë arrestuar e shoqëruar në stacione policore.

Ky është epilogu i një aksioni kundër kontrabandës së mallrave të organizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës, që është pritur me kundërshtime në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Aksioni kundër kontrabandës është  zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

“Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas këtij njoftimi, situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar.

Dhjetë persona të përkatësisë serbe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës së Veriut. Tetë persona janë liruar nga spitali, kurse dy janë ndaluar për trajtim, ka thënë për “Rel”, Zllatan Ellek, drejtor i Qendrës Shëndetësore në këtë komunë.

“Njëri u qëllua në pjesën e pasme në zonën e shpatullës së djathtë, brinja e tij e djathtë ishte thyer, plumbi doli në pjesën e përparme të qafës. Ai iu nënshtrua një operacioni urgjent, që ia ndaloi gjakderdhje dhe aktualisht është në kujdes intensiv, në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Një pacient tjetër u pranua me dëmtime në zonën e gjoksit. Gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ai gjendet në departamentin e kirurgjisë”, ka thënë Ellek, duke shtuar se të lënduarit kryesisht pësuan lëndime nga plumbat e gomës, gazi lotsjellës dhe shok bombat.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti se këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente.

“Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka theksuar se “kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.

Si shkoi aksioni policor në veri?

Gazetarët e “Radios Evropa e Lirë” kanë raportuar se në Mitrovicë të Veriut, në orët e hershme të mëngjesit u dëgjuan sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoabulancave. Qytetarët kanë thënë se në orët e mëngjesit nisën të dëgjoheshin edhe sirena e emergjencave në këtë komunë. Policia e Kosovës është parë edhe para farmacive në veri.

Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin mbledhur dhe nisur në drejtim të policisë. Është parë se qytetarët kanë hedhur gjësende të forta në drejtim të zyrtarëve policorë. Ndërkohë, në afërsi të “Lagjes së Boshnjakëve” janë vendosur kamionët në njërën nga rrugët kryesore që lidhin pjesën jugore me atë veriore të qytetit.

Në Mitrovicë të Veriut turmat janë shpërndarë, ndërsa aksioni i policisë ka vazhduar edhe në Zveçan. Në Zveçan, policia po ashtu ka hedhur gaz lotsjellës pasi qytetarët hodhën në drejtim të forcave të rendit gjësende të forta.

Po ashtu është raportuar se banorët lokalë në veri të Kosovës kanë penguar gazetarët që raportonin nga veriu i Kosovës.

Policia e Kosovës tha gjatë këtij aksioni u sekuestruan mallra dhe dëshmi të ndryshme “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo, etj”.

Policia më herët gjatë ditës ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore.

Bërnabiqi fton bashkësinë ndërkombëtare të reagojë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë për aksionin kundër kontrabandës që Policia dhe Dogana e Kosovës po zhvillojnë në disa lokacione, përfshirë edhe komunat në veri të vendit.

“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin (v.j. kryeministrin e Kosovës) Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha Bërnabiq përmes një komunikate për media.

Borrelli: Incidentet e dhunshme në veri të ndalen menjëherë

Pas kësaj thirrjeje të kryeministres serbe, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell kërkoi që “incidentet e dhunshme në veri të Kosovës të ndalen menjëherë”.

Sipas tij, veprimet “e njëanshme dhe të pakoordinuara” që vënë në rrezik stabilitetin janë “të papranueshme”.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin”, shkroi Borrell në llogarinë e vet në “Twitter”.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është paralajmëruar se do të takohet në Rashkë me përfaqësuesit serbë nga Kosova. Rashka është qytet në Serbi që afërsi të kufirit me Kosovën, përkatësisht pranë pikëkalimit kufitar në Jarinjë.

AGK-ja: Disa gazetarë u sulmuan në veri të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehu shqetësimin për ambientin e pasigurt të punës së gazetarëve, që gjatë 13 tetorit raportuan nga komunat në veri të Kosovës.

AGK-ja tha se janë raportuar se janë sulmuar disa gazetarë në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

“AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në formë të papenguar”, është thënë në reagimin e AGK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata Iniciativa për Progres (INPO), në kuadër të projektit “Kërko…