Haxhiu: Çfarë po ndodh me spitalin e fëmijëve që u inaugurua me aq pompozitet në QKUK?
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka pyetur se çfarë është duke ndodhur me spitalin e fëmijëve që është inauguruar së fundi në QKUK.
Haxhiu nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook” ka kërkuar nga qeveria të tregojë pse nuk është funksional spitali i fëmijëve që është inauguruar më 13 shtator, i cili është ndërtuar falë bashkëpunimit të Kosovës me Qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Tash e 46 ditë nga dita e inaugurimit, Spitali i fëmijëve vazhdon të qëndroi i mbyllur pa ofruar shërbime për pacientët ani pse konsiderohet si një nga spitalet me moderne në rajon për nga kapacitetet, shërbimet e pediatrisë dhe të kirurgjisë pediatrike. Ku qëndron problemi që ende asnjë pacient nuk ka mundur të marr asnjë shërbim në atë spital. Pajisjet moderne për diagnostifikim dhe trajtim të pacientëve qëndrojnë të papërdorura ndërsa prindërit duhet të kërkojnë shërim në klinikat private në Kosovë dhe jashtë saj për fëmijët e tyre”, ka shkruar Haxhiu.
Më tutje, Haxhiu ka pyetur se a ka qenë edhe ky inaugurim pjesë e fushatës elektorale.
“A duhet të jap dikush llogari pse është bërë inaugurimi i spitalit të fëmijëve nëse nuk ka qenë funksional, ndërsa ende pas 46 ditëve nuk ofrohen shërbime për pacientë. A ishte edhe ky inaugurim pjesë e fushatës elektorale?”, ka shkruar deputeti i PDK-së.



