Austria ia konfirmon Kosovës mbështetjen për liberalizimin e vizave
Në margjina të takimit të ministrave të jashtëm në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që u zhvillua në Bruksel, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takime të ndara me homologët e saj nga Austria dhe Bullgaria.
Nëpërmjet një komunikate për medie nga MPJD kanë njoftuar se gjatë takimi që pati me ministrin Federal të Austrisë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Michael Linhart, diskutuan për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të partneritetit në fusha me interes të përbashkët, duke veçuar shkëmbimet mes të dyja ministrive të jashtme.
“Temë diskutimi ishte edhe përmbushja e agjendës evropiane e Kosovës, dhe në këtë pikë ministrja Gërvalla mori rikonfirmimin e ministrit Linhart se Austria do ta mbështes Kosovën në të gjitha proceset, e me theks të veçantë për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me këtë rast ministrja Gërvalla, duke e falënderuar ministrin Linhart për përkrahjen e parezervë, theksoi rëndësinë që kjo frymë mbështetëse të përcillet edhe tek shtetet skeptike të BE-së që po ndikojnë në zvarritjen e procesit të vizave. Palët biseduan edhe për angazhimin e Kosovës për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar si dhe bashkëpunimin rajonal”, thuhet në njoftim.
Në takimin që mbajti me ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Svetlan Stoev, biseduan për politikë të jashtme, duke u fokusuar në zhvillimet rajonale dhe sfidat që po shoqërojnë vendet e Evropës Juglindore.
“Dy homologët vlerësuan se është esenciale që të forcohet sundimi i ligjit dhe të luftohet korrupsioni në nivel rajonal. Gjithashtu diskutuan për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e të pasurit progres në këtë drejtim. Ministrja Gërvalla njëherësh e njoftoi kryediplomatin bullgar edhe me reformat që po ndërmarrin institucionet e Kosovës në drejtim të përmbushjes së agjendës evropiane”, thuhet në njoftim.



