Debati në Kuvend, Haradinaj e quan Kurtin komunist
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti merr vesh vetëm nga dënimi. Ai ka thënë e ka pyetur atë se kur do të zgjidhet problemi i Ligjit të Pagave në sektorin publik.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se nëse nuk do të ishte pandemia, qytetarët do të duhej që të dilnin në rrugë për këtë çështje.
“E lus Kurtin, a kish mujt Kurti pra me na e zgjedh problemin e Ligjit të pagave dhe se kur mundet me e zgjedh? I lus punëtorët e sektorit publik dënojeni këtë njeri se nuk merr vesh ndryshe, dënimi e kthjell se nuk po merr vesh gjuhë tjetër. Fatkeqësisht është pandemia se për këtë ligj e ka merituar me dalë në rrugë”, ka thënë ai.
Haradinaj ka folur edhe për çështjen e pronave, teksa e ka cilësuar kryeministrin Kurti si komunist.
“Nuk kam parë ndonjëherë një qeveri më mashtruese se kjo. Ju siguroj se nuk më ka ndodhur me e ulë atje e me pa një gjendje si kjo. Thotë kryeministri nuk është urgjencë. O z. kryeministër mundet që so për ty, e ndoshta ti je komunist donë me punuar pa parë, por leja atyre të drejtën të flasin për veten. Ato sindikatat që po të vinë te dera. Ndoshta kryeministri s’ka qejf me pas pronë private, i pengon me qenë prona të njëri e të tjetri. Unë atë tokën që e kam ble ka qenë e nacionalizuar, ma ka marr njëherë shteti”, ka thënë ai.
Kurti dhe Haradinaj patën një debat rreth një toke 200 hektarësh që Haradinaj thotë se e ka riblerë në Gllogjan.



